SPAK merr të pandehur ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshin

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku i është komunikuar akuza e “shpërdorimit të detyrës”, duke u marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Ish-kryebashkiaku u kallëzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2017, lidhur me prokurimin me objekt “shërbimi i pastrimit të qytetit”.
Sipas KLSH-së, Roshi miratoi procedurën për kompaninë “Alko Impleks General Construction” shpk, duke shkelur barazinë në tendera. Kjo kompani u shpall fituese me shumë mangësi, e me ofertë shumë të lartë. Vlera e dëmit në buxhet arrinte 12.245,635 lekë.
Hera e fundit e tij ka qenë në shkurt, kur ai qëndroi vetëm për 15 minuta në zyrat e Prokurorisë së Posaçme.
Për gazetarët, pasi doli nga SPAK-u, Roshi u shpreh se “janë veprime të zakonshme, absolutisht asnjë akuzë”.
Vitin që lamë pas, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, urdhëroi SPAK-un të nisë hetime ndaj tij, si i dyshuar për dhënien e disa tenderave në kohën kur ishte kryebashkiak.
Ai akuzohet të ketë konsumuar veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “shkelja e barazisë në tenderë”.
/a.f/