E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Vijojnë shkarkimet e kontrolluara nga kaskada e Drinit


TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në kaskadën e Drinit si pasojë e rritjes së prurjeve, po vijojnë shkarkimet e kontrolluara nga HEC-i Koman dhe HEC-i Vau i Dejës.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se “bashkia e Shkodrës është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë”.

Kryeministri theksoi se deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë.

“Aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve”, u shpreh Rama.

Moti i keq me reshje intensive shiu që ka përfshirë vendin gjatë orëve të fundit ka shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit. Në Durrës dhe Lezhë si pasojë e pranisë së ujit është pezulluar mësimi në disa shkolla.

Po ashtu reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›