Policia e Fierit: Vepruam konform ligjit, akuzat e Bardhit të pavërteta

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Drejtuesi i Partisë Demokratike për Qarkun e Fierit Gazment Bardhi denoncoi sot sipas tij “çdo akt presioni dhe intimidimi që Policia e Shtetit, nën ndikimin e drejtpërdrejtë politik, ka ushtruar ndaj familjarëve të kandidates për deputete të PD, Silva Hasaj”.
Sipas Bardhi “këto veprime përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të përpjekjeve për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e lirë të tyre përmes shantazhit dhe dhunës institucionale”.
“Ky akt i përsëritur i përfshirjes së Policisë së Shtetit në këtë fushatë zgjedhore në qarkun Fier, garantoj se nuk do të mbeten pa pasoja”, tha Bardhi ndërsa i bëri thirrje OSBE/ODIHR dhe çdo institucioni ndërkombëtar që “të monitorojë nga afër sjelljen e Policisë së Shtetit në zgjedhje dhe çdo përpjekje të saj për të minuar standardet demokratike në një proces zgjedhor”.
Por sipas Policisë së Fierit pretendimi i Bardhit për presion ndaj të afërmve të kandidates për deputete, është i pavërtetë, pasi Policia i ka kryer veprimet procedurale konform ligjit.
“Më datë 27.04.2025, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi A. H., 59 vjeç, banues në Peshtan, kryente veprimtari të paligjshme në lidhje me procesin zgjedhor, shërbimet e Policisë, në orën 19:20, e kanë kontrolluar dhe më pas e kanë shoqëruar këtë shtetas në Komisariatin e Policisë Fier. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në automjetin me të cilin ai udhëtonte, u gjet një bllok me shënime në lidhje me procesin zgjedhor. Shtetasit A. H iu mor deklarimi dhe u la i lirë.
“Sqarojmë opinionin publik se në lidhje me statusin e publikuar nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike, për qarkun Fier, z. G. B., në të cilin ai ka pretenduar se Policia e Shtetit ka ushtruar presion ndaj familjarëve të kandidates për deputete të Partisë Demokratike, znj. S. H., (shtetasi A. H që u shoqërua, i afërm i saj), theksojmë se pretendimi është i pavërtetë pasi Policia për këtë rast ka kryer të gjitha veprimet procedurale konform ligjit dhe materialet janë referuar në Prokurori”, njoftoi Policia e Fierit.
/a.f//r.e/