E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Kentit dy letra mirënjohjeje për homologët shqiptarë, vlerëson bashkëpunimet operacionale

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Policia e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar i ka dërguar dy letra mirënjohjeje Policisë shqiptare, për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë dy rasteve të fundit të bashkëpunimit.

Konkretisht, përfaqësuesit e policisë së Kentit i referohen arrestimit të shpejtë të një të akuzuari për vrasje si dhe ekspertizës në fushën e analizimit të ADN-së për identifikimin e një 29-vjeçari nga Kurbini, i dyshuar për 33 raste vjedhjesh në Mbretërinë e Bashkuar.

“Arrestimi i shpejtë i shtetasit të akuzuar për vrasje, A. Sh., në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 81”, të zhvilluar në Tiranë, nuk do të kishte qenë i mundur pa bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të kolegëve tanë në Policinë e Shtetit shqiptar, konkretisht të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh”, thuhet në letër, ku shprehet mirënjohje dhe falënderime të sinqerta për mbështetjen e dhënë në lokalizimin dhe arrestimin kaq të shpejtë të të dyshuarit.

“Ekspertiza e lartë në fushën e analizimit të ADN-së, dhënë nga Instituti i Policisë Shkencore i Policisë së Shtetit shqiptar, ka kontribuar në finalizimin me sukses të operacionit policor “Boomerang”, gjatë të cilit u bë i mundur identifikimi i shtetasit G. U., 29 vjeç, banues në Kurbin, i dyshuar për përfshirjen në 33 raste vjedhjesh, të ndodhura në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë viteve 2023–2025.

“Identifikimi i autorit u realizua falë analizës së të dhënave në databazën “CODIS” të Institutit të Policisë Shkencore, që kontribuoi në përputhjen familjare (Familiar Match) të ADN-së së të dyshuarit me origjinë shqiptare. Analiza e të dhënave të siguruara përmes ADN-së ka qenë kyçe për dokumentimin ligjor të veprimtarisë së këtij shtetasi, në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në dy letrat e mirënjohjes.

Më tej, në letrat e mirënjohjes, përfaqësuesit e Policisë së Kentit kanë shprehur se “është kënaqësi e madhe të dimë se bashkëpunojmë në mënyrë kaq efektive me kolegët e Policisë Shqiptare për të ndihmuar në parandalimin dhe zbulimin e krimeve që shkaktojnë dëm të madh në komunitetet tona”.

Sipas tyre “këto raste përforcuan bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kemi dhe nxorën në pah sa e domosdoshme është ndihma e ndërsjellë për parandalimin dhe zbulimin e krimeve që dëmtojnë komunitetet tona””.

Më tej, në letrat e falënderimit, Policia e Kentit ka vlerësuar rolin dhe profesionalizmin e Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare, për koordinimin dhe finalizimin e veprimeve.

1 nga 2

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›