E Diel, 1 Nëntor 2026

Shabani takim me ambasadorin britanik: T’u japim të rinjve perspektivë në atdhe

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Avokati i Popullit, Endri Shabani zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott.

Në qendër të diskutimit ishin situata e të drejtave të njeriut, forcimi i rolit të Avokatit të Popullit dhe vizioni për një institucion që garanton llogaridhënien dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Gjatë takimit, nga Avokati i Popullit u prezantua nevoja për të ndërhyrë me një perspektivë të qartë për t’u dhënë shpresë të rinjve shqiptarë, duke krijuar kushte që ata ta shohin të ardhmen e tyre në vend.

Gjatë takimit u diskutuan për përpjekjet e përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve si një nga shtyllat e një shoqërie demokratike dhe të qëndrueshme.

Shabani prezantoi vizionin e tij për modernizimin e institucionit të Avokatit të Popullit, duke premtuar një reformë që e pozicionon institucionin si mbrojtësin kryesor të qytetarëve që deri më sot janë ndjerë të padëgjuar.

Ambasadori Abbott konfirmoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për vizionin e paraqitur, duke vlerësuar rolin e Avokatit të Popullit si një gardian i dinjitetit njerëzor dhe sundimit të ligjit.

Takimi u përmbyll me një dakordësi për të intesifikuar partneritetin strategjik, duke u fokusuar në projekte që modernizojnë punën e Avokatit të Popullit dhe rrisin forcën e tij në mbrojtje të qytetarëve.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›