E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Policia gjobit edhe 36 protestues të tjerë për bllokim rruge

whatsapp image 2026 11 02 at 3.01.44 pm

Policia e Tiranës njoftoi të mërkurën se kishte gjobitur 36 protestues të tjerë me nga 5 mijë lekë secili për pjesmarrje në protestën e së martës. Sipas policisë, masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit, 36 protestuesit kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor. Në njoftim thuhet se 36 protestuesit ndaj të cilëve është vendosur masa administrative, nuk u janë bindur thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e rrugës. Një ditë më parë, policia bëri me dije se kishte gjobitur 16 protestues të tjerë për të njëjtat arsye, po me nga 5 mijë lekë.

Sipas policisë, gjobat bazohen në aktin normative nr.5 të datës 28 tetor 2026, ku parashikohet një gjobë prej 5 mijë lekësh kur bllokimi i një rruge gjatë një tubimi pengon qarkullimin e mjeteve. Për mosbindjen ndaj një urdhri për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, akti parashikon gjoba të veçanta.

Një grup organizatash të shoqërisë civile i kanë kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të bllokojë zbatimin e paketës së qeverisë kundër tubimeve, duke e cilësuar atë të paargumentuar dhe në cenim të lirive dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

Demonstratat, të cilat u paraprinë nga mbi katër muaj protestash kryesisht paqësore, janë shoqëruar me përleshje, dëmtime të pronës publike dhe private, përdorim të gazit lotsjellës, topave të ujit dhe plumbave të gomës nga policia, si dhe me arrestime të shumta.

Policia ka raportuar për efektivë të plagosur dhe dëmtime të institucioneve, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut dhe të medias kanë ngritur shqetësime për proporcionalitetin e përdorimit të forcës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›