E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia zbulon skemën mashtruese me SMS, thirrje qytetarëve: Mos klikoni linqe të panjohura, synojnë vjedhjen e llogarive bankare

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit njoftoi sot qytetarët në lidhje me një skemë mashtruese që po qarkullon së fundmi, përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit elektronik.

Sipas njoftimit të Policisë, “shtetas ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linqe të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve. Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linqe dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare”.

Policia e Shtetit thekson se “asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linqeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë”.

“Për këtë arsye, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve: Të mos klikojnë në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura; Të mos japin të dhënat e tyre personale apo bankare në forma të dyshimta online; Të verifikojnë çdo informacion të tillë drejtpërdrejt me institucionin përkatës (bankë apo agjenci shtetërore); Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë strukturave të hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me institucionet financiare dhe partnerët, për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.

“Respektoni sigurinë tuaj digjitale! Mos ndani të dhëna personale me burime të pasigurta!”, ishte thirrja e Policisë për qytetarët.

/m.q//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›