“Politico”: Papa Leone XIV i bën thirrje Trump të mos e “prishë” marrëdhënien SHBA-Evropë

ROMË, 10 dhjetor /ATSH/- Papa Leone XIV i bëri thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump të mos e “shkatërrojë” aleancën transatlantike, pasi udhëheqësi republikan kritikoi ashpër Evropën në një intervistë për “Politico”.
Strategjia e presidentit amerikan për Ukrainën po sjell një ndryshim të madh në atë që për shumë vite ishte një aleancë e vërtetë midis BE-së dhe SHBA-së”, tha papa Leone.
Duke folur me gazetarët pas një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Castel Gandolfo pranë Romës, papa Leone tha se deklaratat e fundit të Trump – në të cilat ai i quajti udhëheqësit evropianë si “të dobët” ishin një përpjekje për të shkatërruar marrëdhënien SHBA-Evropë.
“Deklaratat që u bënë për Evropën, mendoj se po përpiqen të shkatërrojnë atë që mendoj se duhet të jetë një aleancë shumë e rëndësishme sot dhe në të ardhmen”, tha papa Leone.
Trump kritikoi Evropën duke e konsideruar si të keq-qeverisur dhe të dështuar në rregullimin e migracionit – gjatë një interviste me Dasha Burns për “Politico”, e cila u transmetua sot në një episod të veçantë të podkast-it “The Conversation”.
“Mendoj se janë të dobët”, tha Trump, duke iu referuar presidentëve dhe kryeministrave të Evropës.
“Mendoj se nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë”, shtoi presidenti amerikan.
“Plani i paqes i administratës Trump për Ukrainën “fatkeqësisht” shënon një ndryshim të madh në atë që për shumë, shumë vite ishte një aleancë e vërtetë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha papa Leone.
Propozimi i Trump për t’i dhënë fund luftës, i cili la mënjanë Brukselin dhe përfshinte disa lëshime të mëdha për Rusinë, duke përfshirë dhënien e sipërfaqeve të gjera të territorit ukrainas dhe kufizimin e madhësisë së ushtrisë së saj, shkaktoi alarm nga Kievi dhe aleatët e tij evropianë dhe çoi në negociata në Gjenevë për të arritur një marrëveshje kornizë alternative.
“Është një program që presidenti Trump dhe këshilltarët e tij e hartuan. Ai është presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka të drejtë ta bëjë këtë”, shtoi papa Leone.
Por, udhëheqësi katolik tha se ndërmjetësimi i bisedimeve të paqes pa përfshirë Evropën ishte jorealist.
“Unë me të vërtetë mendoj se roli i Evropës është shumë i rëndësishëm… të kërkosh një marrëveshje paqeje pa përfshirë Evropën në biseda, nuk është realiste”, tha ai.
“Lufta është në Evropë. Mendoj se në garancitë e sigurisë që kërkohen gjithashtu sot dhe në të ardhmen, Evropa duhet të jetë pjesë e tyre”, shtoi papa Leone.
Papa Leone – i lindur në Çikago dhe i emëruar në maj si papa i parë nga Amerika e Veriut – ka kritikuar Trump edhe më herët, lidhur me trajtimin e emigrantëve nga Uashingtoni dhe konfliktin me Venezuelën. //a.i/