E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Polonia dhe Gjermania forcojnë partneritetin në mbrojtjen nga dronët

MALBORK, 10 dhjetor /ATSH-DPA/- Polonia planifikon të bashkëpunojë më ngushtë me Gjermaninë në sistemet e mbrojtjes tokësore për të penguar hyrjen e dronëve të huaj.

Ministri polak i Mbrojtjes, Pawel Zalewski njoftoi bashkëpunimin në sistemin e mbrojtjes ajrore SAM – pas një takimi me homologun e tij gjerman, Nils Schmid në aeroportin ushtarak të Malborkut.

“Ne do të donim të mbështeteshim dhe të shfrytëzonim përvojën e Gjermanisë në këtë fushë”, tha Zalewski.

“Qëllimi tani është të rrëzojmë dronët ose t’i bëjmë të padëmshëm në një mënyrë më efektive për sa i përket kostove”, tha ai.

“Përdorimi i dronëve të lirë ka ndryshuar ndjeshëm ekonominë e fushës së betejës”, tha ai, duke bërë thirrje për forcimin e sistemit të mbrojtjes ajrore të Polonisë.

Schmid shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim të mëtejshëm, duke shpjeguar se mbrojtja nga dronët do të organizohet duke përdorur një kombinim të sistemeve të ndryshme të armëve.

“Jam i sigurt se ne, si aleatë evropianë, do të punojmë shumë ngushtë së bashku për këtë”, shtoi Zalewski.

Ai falënderoi ekuipazhin gjerman të “Eurofighter” të stacionuar në aeroportin ushtarak dhe personelin mbështetës për përpjekjet e tyre në shërbimin – si një pengesë dhe mbrojtje kundër kërcënimeve.

Javën e kaluar, Forcat Ajrore Gjermane dislokuan sërish avionë luftarakë në Poloni për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.

Dislokimi është një përgjigje ndaj shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore nga avionët luftarakë rusë në rajonin e Detit Baltik dhe hyrjes së dronëve kamikazë në territorin e NATO-s.

Avionët luftarakë gjermanë u dislokuan fillimisht në gusht dhe shtator, rreth 60 kilometra në juglindje të Gdanskut dhe 80 kilometra nga enklava ruse e Detit Baltik, Kaliningrad.

Dislokimi gjerman përfshin rreth 150 burra dhe gra që shërbejnë si pilotë, teknikë, logjistikë, personel sigurie dhe policë ushtarakë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›