E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikanë apo aristokraci?

 

Megjithëse në pamje të parë duket sikur jemi një popull me sensibilitet politik dhe qëndrim kritik ndaj politikanëve, në thelb nuk është kështu. Madje është krejt e kundërta. Qytetarët tanë kanë më shumë të zhvilluar reagimin privat negativ ndaj politikës, dhe fare pak ose aspak mënyrat e reagimit publik. Njerëzit tanë për çudi kanë një indiferencë serioze për vendimet që merr politika, ose bëjnë reagime të shkëputura, pa kohezion, pa forcë ndikuese mbi politikën. Kjo do të thotë që ata tërë kohën e kalojnë jo me probleme politike dhe qytetare, por më shumë me probleme të natyrës ekzistenciale që kanë të bëjë me punën, të ardhurat, përshtatjen me ekonominë ë tregut, progresin e fëmijëve dhe plotësimin sa më mirë të nevojave materiale të tyre, etj. Mirëpo, kjo nuk është kuintesenca e qytetarit modern, përkundrazi, është tregues se “verbi qytetar” është duke u zbehur. Në se njerëzit tanë janë të kujdesshëm dhe përpiqen të jenë të kujdesshëm në jetën personale, janë në të njëjtën kohë indiferentë ndaj politikës, ndaj ministrave, deputetëve, drejtuesve të pushtetit vendor dhe të gjithë atyre që kanë përgjegjësi në vendimmarrjet politike në nivel qendror, rajonal dhe lokal.

Për të mos qenë i njëanshëm, mendoj se përgjegjësia për këtë “situatë reciproke” midis politikës dhe qytetarit është e dyanshme. Një pjesë e politikanëve shqiptarë, e kanë humbur sensin e lidhjes dhe të përgjegjësisë qytetare. Një pjesë prej tyre duken se kanë fituar shumë siguri përballë indiferentizmit të shfaqur dukshëm të qytetarit. Rasti e ka sjellë që një pjesë të mirë të politikanëve “nga të dy krahët” t’i kem njohur, të kem pasur lidhje politike apo miqësi shoqërore, dhe kjo më lejon që të bëj një “kurbë” të evolucionit apo mutacionit të personalitetit të tyre. Padyshim, një pjesë jo e vogël e tyre, jo më me qytetarin e thjeshtë, me militantin dhe votuesin besnik, por dhe me miqtë dhe intelektualët, përpiqen të krijojnë distancë. Nuk e di kush e ka futur këtë mentalitet idiot të “distancës” së politikës nga qytetari. Dhe, për fat të keq, ka filluar të përhapet shumë jo në politikën profesioniste, por dhe në nivelet e larta të drejtimit.

Ide që buron nga mediokriteti dhe vaniteti, që sa më distancë të mbash me njerëzit, aq më shumë personalitet dhe autoritet ke. Kjo e keqe e madhe e politikës dhe e drejtuesve në nivele të ndryshme duhet kundërshtuar me reagim të fortë qytetar.

Ndryshe, është e sigurt që në horizontin e politikës dhe të shtetit tonë po ngrihet një shtresë, po ravijëzohet si “aristokraci e zgjedhur”, e cila është e kënaqur dhe e lumtur që qytetari të jetë në nivel të ulët mendor, të jetë sa më i tërhequr. Edhe herë të tjera e kam thënë, në shkrimet e mia në gazetën “Shekulli”, tendencën e shfaqur të politikës shqiptare për të krijuar “mbretërinë e mbyllur” të saj, duke e mbajtur qytetarin sa më larg, duke e bërë sa më indiferent, sa më të plogët.

Nuk mund të jetë e shëndetshme politika dhe demokracia jonë, nëse i beson qytetarit vetëm një të drejtë, që një herë në katër vjet të vejë në kutinë e votimit, për të zgjedhur “elitën politike” qendrore apo lokale dhe më pas ai të braktiset nga politika dhe të zgjedhurit e saj. Pa mekanizëm të qartë funksionues, nuk ka për të patur angazhim dhe kontroll qytetar mbi politikanët e këtij vendi. Natyrisht, nuk mendoj se është e mundur të realizohet ndonjëherë teza e famshme se “autoriteti politik është në duart e popullit”. Përveçse dëshirë e mirë dhe demagogji njëkohësisht, ajo është e pamundur. Por nuk është e pamundur që qytetarët të lobohen për të reaguar ndaj politikës, politikanëve të veçantë kur shkelin ligjin, kur cenojnë moralin, nëpërkëmbin interesin publik për interesin privat, duke i maskuar gjërat me maskën e interesit politik apo publik. Kjo nuk pranohet, kjo është e padurueshme, fyese, ofenduese për ne si qytetarë. Dubël morali i disa politikanëve është i neveritshëm dhe nuk duhet t’i shpëtojë demaskimit qytetar. Por këtë e bën qytetari që ka integritet dhe jo qytetari i plogët, i flashkët, të cilit ende nuk i ka dalë nga mendja frika e “helmit totalitarist”, për fuqinë e pakufizuar të shtetit dhe politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›