E Diel, 1 Nëntor 2026

Rri në radhë!

Kjo politika jonë shqiptare vazhdon të shuajë me gomë feta të tëra jete, që as i imagjinojmë. Mund të jetë idiote ta mendosh, por përmes gjithë stresit të mungesave, mungesave të vazhdueshme që secili prej nesh në mënyrë koshiente apo inkoshinete përjeton, përmes të gjithë kësaj revolte të akumuluar, çdo ditë një grimcë më tepër, mbushur me vrer, panik e pak tragjikomedi, jeta e shqiptarit i përngjan një bilete autobusi të shtrënguar fort në grusht e të shukur fort në xhep me një gjest nervoz padurimi. Padurimi për fare pak dreq jete normale. Si ata andej, jashtë shtetit... Dhe mbase pak prej rastësisë, pas si pasojë e fatit, pak si pasojë e një populli të lodhur, gjërat harrohen; e mes rrudhosjeve të asaj jete të zhubrosur e flakur në xhep, zhduken pjesëza të dhimbshme, frikacake, apo të pakuptuara e pajetuara kurrë. Zhduken dhe ato të bukurat, normalet, ato ku çdokush lufton për kauzën e duhur, kur zgjohet e fle, i palodhur. Ja, kështu ikën jeta e shqiptarit, e parëndësishme për udhëheqësin/it. Produkti më i përbindshëm i tranzicionit shqiptar ka qenë shkatërrimi i ndjenjave humaniste. E ndjeva dhe unë.

Përhumbur mes artikulimesh politike që shpesh nuk bëjnë tjetër veçse shtyjnë kohën deri në zgjedhjet e ardhshme, më qëlloi të takoj një familje në Vaun e Dejës, Shkodër - zonë e cila ka si deputet përfaqësues ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka. Déjà kam thënë shumë, ë?... Historia e kësaj familjeje më tronditi aq fort, sa nuk mund mos ta shkruaja. Mbase lehtësisht do bëhem këtu e palexueshme për disa, mbase më tepër për disa të tjerë, por dimensioni jetik është i gjerë, i rëndësishëm, oksigjendhënës; dhe unë nuk mund të veproj ndryshe.

Mora një e-mail të trishtë ku shpjegohej historia e një 22-vjeçari emigrant në Athinë i cili përgjatë një pune të rëndë për trupin e tij të dobët, kishte thyer shtyllën kurrizore. Fatmirësisht, spitali grek i kishte dhënë thuajse të gjithë ndihmën e mundshme, duke marrë përsipër operacionet e vështira për ta mbajtur në jetë. E-maili përfundonte me një kërkesë për ndihmë financiare dhe sensibilizim, për mos ta lënë këtë të ri shqiptar të paralizuar përjetë. U tregova skeptike dhe pyeta dërguesen (mike e imja) nëse kjo kërkesë ishte një mashtrim virtual i radhës. Më siguroi që jo. Së bashku me familjen time vendosëm të shkojmë pranë Shkodrës dhe të takojmë prindërit e djalit. Ka momente kur kupton se Shqipëria, ajo Shqipëria e NATO-s dhe e ëndrrave të mëdha ndërkombëtare a’la Disneyland, me buzëqeshjet e revistave bling-bling dhe ariet “jo unë s’jam Ballkan”, është në të vërtetë një vend i vogël, i ëmbël, dhe thellësisht i trishtë.

Familja ishte e përbërë prej prindërve dhe katër fëmijëve - djali 22-vjeçar më i madhi prej tyre. Dy dhoma: në njërën ekskluzivisht vetëm dy krevate (dhe disa veshje të vendosura mbi to) e në tjetrën dy divanë, një tavolinë, një frigorifer e një televizor fare i vogël. Vetëm kaq. Pastër. Është varfëria e kudogjendur shqiptare kjo: një varfëri dinjitoze, e akullt, buzëqeshëse, falënderuese, një varfëri në limitet e mbijetesës, por dinjitoze. Është një prej virtyteve që dua më shumë në popullin tim: dinjiteti, edhe përballë fatit të keq.

Njëra prej motrave, fare e re, vazhdonte shkollën për Infermieri (shpresa vdes e fundit), tjetra kishte ndjekur një kurs rrobaqepësie, por pas prishjes së makinës qepëse, lëvizte bosh gishtat në pritje të dikujt që do të kish mirësinë t’i dhuronte një tjetër, edhe të vjetër, s’ka gjë. Tha. Prindërit të papunë, në gjendje shumë të keqe shëndetësore. Djali emigrant në Athinë kish qenë shpresa e fundit. Por ai e kish patur shtyllën kurrizore të paushqyer mirë.

Thanë se kishin tentuar të takonin ministrin Ndoka, deputetin e zonës, por se në derën e Ministrisë i kishin thënë se Ministri ndodhej jashtë vendit për punë të rëndësishme. Po, po, “punë të rëndësishme”! E kishin besuar. Nuk di ç’ka qenë kjo punë kaq e rëndësishme e këtij përfaqësuesi të popullit. Nga këto budallallëqet NATO e kompani me siguri, të cilat nuk presin përballë shpëtimit të jetës së dikujt, të qenit pak human brenda kësaj Shqipërie kaq cinike!

Po Kryeministri? Pyeta. Shkuam, më thanë. I zënë, më thanë. I zënë... E drejtë, Kryeministri e ministrat shqiptarë janë gjithmonë të zënë, shumë të zënë; shumë të zënë të na tregojnë të gjithëve se sa të lumtur jemi - duhet të jemi - tani që erdh NATO, të zënë të shëtisin Shqipërisë përmes një nisme të kopjuar e buzagaz të na thonë se ia dolën, se po qeverisin ç-d-o g-r-i-m-c-ë shqiptare dhe se të gjithë duhet të jemi mirënjohës. Sa keq, që nuk ia di emrin këtij zotit NATO, t’i gjeja një adresë e-mail-i a ta merrja në telefon, e ta pyesja se ç’po ndodh kështu me mua, me ne, pse, në ndryshim nga këta qeveritarë të lumtur, unë nuk po e shoh dot kët’ t’madhin shkëlqim të Shqipërisë. Do jetë problemi im, i yni. Me siguri. S’ka zgjidhje tjetër. Mbase jam unë që e kam keqkuptuar termin përfaqësues të popullit; mbase të qeverisësh do të thotë të vetëqeverisesh, të gjesh mënyrën se si të rizgjidhesh prapë, duke i shituar ajër syve të të qeverisurve. Si nuk e kuptuan xhanëm se populli nuk është budalla.

Por me sa duket turi i Berishës është selektiv, dhe ai: nuk kalon nga grevistët e Vorës, as nga grevistët minatorë, nuk kalon nga familja në nevojë pranë Shkodrës, në fakt as pranë shtëpisë time nuk kalon. Qeverisje a’la carte: Berisha vendos në mënyrë selektive se cilët do të jenë ata që do të qeverisë sot. Dhe jo, jo, nuk janë asnjëherë ata që kanë nevojë të qeverisen, nuk janë asnjëherë ata që vuajnë, që qajnë, që ankohen, ata që në të vërtetë duhen qeverisur. Berisha dhe qeveria e tij, qeverisin të lumturit. Dhe të lumturit në Shqipëri janë vetëm ata vetë.

Dhe është e vërtetë, nuk ka më revoltuese, nervagritëse dhe, pse jo, trishtuese, sesa kjo heqje dorë që Berisha shfaq kundrejt popullit të tij, kundrejt familjes në Shkodër, kundrejt dhe vetë meje si qytetare, si shqiptare, si individ. Por ka ama diçka për të cilën nuk është ende vonë, për të cilën i dhashë Berishës mundësinë e fundit ca kohë më parë: ai ka hequr dorë nga unë, nga populli, por këtë radhë, pa asnjë dyshim, pa asnjë mëdyshje, pa të drejtë apeli: Po heq unë dorë nga ai. Pa kthim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›