Poloni-Shqipëri, publikohen formacionet zyrtare

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Shqipëria përballet sot me Poloninë në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë në orën 20:45, në ndeshjen e vlefshme për fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026, teksa trajnerët Sylvinho dhe Urban kanë publikuar formacionet titullare për ndeshjen e sotme.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka zgjedhur Strakoshën në portë, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Mitaj, Gjimshiti, Ajeti, Hysaj. Në mesfushë aktivizohen Asllani, Shehu, Laçi dhe Bajrami, ndërsa në sulm luajnë Hoxha dhe Uzuni.
Nga ana tjetër, trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka vendosur Grabara në portë, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Kiwior, Bednarek dhe Kedziora. Në mesfushë janë rreshtuar Skoras, Zielinski, Szymański dhe Cash, ndërsa sulmuesit janë Kaminski, Lewandowski dhe Rozga.
Takimi do të drejtohet nga arbitri anglez Anthony Taylor.
Polonia konsiderohet favorite për shkak të avantazhit të fushës, por Shqipëria synon të përsërisë paraqitjet pozitive të viteve të fundit dhe të sfidojë historikun mes dy skuadrave.
Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se të gjitha biletat për sektorin e tifozëve shqiptarë janë shitur, ndërsa mbështetja për ekipin kombëtar nuk ka munguar edhe në transfertë.
Ndeshja e sotme është një test kyç për ambiciet e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit 2026, ndërsa kuqezinjtë synojnë të hedhin një hap të madh drejt realizimit të ëndrrës së madhe.
/gj.m/r.e/a.f/
