Prefekti i Korçës, plan masash për sezonin dimëror

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Prefekti i Korçës, Nertil Jole, mblodhi sot Komitetin Rajonal të Zhvillimit të Turizmit për sezonin dimëror 2025-2026.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Korçë ka hartuar Planin e Masave për administrimin e këtij sezoni turistik dimëror, për detyrat konkrete që duhet të zbatojnë të gjitha institucionet e ngarkuara, edhe në frymën e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Turizmit.
Jole u shpreh se, sezoni veror në qarkun e Korçës, regjistroi flukse domethënëse turistësh si dhe përfunduan disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturë, të cilat pritet të sjellin investime të reja si edhe rritje të fluksit të turistëve.
Prefekti shtoi se qarku i Korçës i ka të gjitha karakteristikat e potencialin për t’u konsideruar rajon që ofron turizëm gjithëvjetor, të pasur me atraksione natyrore, historike e kulturore, si dhe me një kulinari tradicionale unike, shoqëruar me shërbime cilësore e në përputhje me standardet e kërkuara.
Në një postim online, prefekti Jole, kujtoi dhe nisjen e konsultimeve me aktorët e qarkut, për hartimin e “Masterplanit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit” për rajonin e Korçës. Projekti bashkëfinancohet nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Konsultimi do të jetë i gjerë, me aktorë institucionalë dhe jo vetëm.
“Një sinergji akoma më produktive mes aktorëve të përfshirë në zinxhirin turistik brenda rajonit tonë, do të kontribuonte në mënyrë cilësore e sasiore, në përmbushjen e objektivit të përcaktuar nga qeveria, që Shqipëria të jetë kampione e turizmit në Ballkan deri në vitin 2030”, u shpreh Jole.
1 nga 5/a.f/