E Diel, 1 Nëntor 2026

Popullsia në rënie me 1,16%, vetëm Tirana shënon rritje banorësh

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Shqipëria vijon të përballet me rënie të popullsisë, si pasojë e emigracionit të lartë dhe plakjes demografike, ndërsa vetëm qarku i Tiranës ka shënuar rritje të numrit të banorëve gjatë vitit të fundit.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi popullsinë më 1 janar 2026, në vend jetojnë 2.335.930 banorë, me një tkurrje prej 1,16% krahasuar me 1 janarin e vitit 2025.

Rënia e popullsisë është ndikuar kryesisht nga migracioni neto negativ, i cili gjatë vitit 2025 rezultoi me r[nie prej 28.531 persona.

Ndërkohë, shtesa natyrore e popullsisë mbeti pozitive, me 1147 lindje më shumë se vdekje.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025 në vend u regjistruan 22.541 lindje dhe 21.394 vdekje.

Përllogaritjet demografike evidentojnë se vetëm qarku i Tiranës ka pasur rritje të popullsisë me 0,7%, duke forcuar më tej përqendrimin e popullsisë në kryeqytet dhe zonat përreth.
Nga ana tjetër, qarqet që kanë shënuar uljen më të madhe të popullsisë janë Kukësi me 2,59% dhe Shkodra me 2,56%.

Tirana vijon të mbetet qarku më i populluar i vendit, duke përbërë rreth 32,8% të popullsisë gjithsej. Pas saj renditen Fieri me 9,7%, Elbasani me 9,5% dhe Durrësi me 9,4% të popullsisë totale.

Treguesit demografikë tregojnë gjithashtu një vijim të procesit të plakjes së popullsisë. Mosha mediane e popullsisë ka arritur në 45 vjeç më 1 janar 2026, nga 44,3 vjeç një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se është rritur pesha e të moshuarve në raport me popullsinë në moshë pune, ndërsa është shtuar edhe numri i personave ekonomikisht të varur për çdo 100 banorë aktivë në tregun e punës. Raporti i përgjithshëm i varësisë arriti në 59,4% në vitin 2026, nga 57,1% një vit më parë.

Ndërkohë, raporti gjinor i popullsisë gjithsej rezulton 97,6 meshkuj për 100 femra, ndërsa raporti gjinor në lindje mbeti pothuajse i pandryshuar, me 107,9 meshkuj për 100 femra gjatë vitit 2025.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›