E Diel, 1 Nëntor 2026

Posti i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pesë kandidatë në garë

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Pesë kandidatë kanë dorëzuar deri tani aplikimet e tyre pranë Kuvendit të Shqipërisë për postin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në përfundim të afatit zyrtar për paraqitjen e kandidaturave.

Sipas medieve, në listën paraprake të aplikantëve përfshihen emra si Alfred Balla, ish-kryetar i KLP-së, si dhe Genta Tafaj, ish-kryetare e Komisionit të Vetingut.

Lista aktuale e kandidatëve përbëhet nga Alfred Balla, Brunilda Menalla, Rozeta Ivanova, Genta Tafaj dhe Ermonela Xhafaj.

Pritet që gjatë ditës të shtohen edhe kandidatë të tjerë, të cilët mund të kenë dërguar dokumentacionin e tyre përmes shërbimit postar.

Sipas procedurës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi zgjidhet nga Kuvendi me një minimum prej 71 votash dhe ushtron detyrën për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Kjo është hera e dytë që rihapet gara për këtë pozicion, pasi në përpjekjen e mëparshme asnjë prej kandidatëve nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme prej 28 deputetësh për të kaluar në fazën tjetër të procesit.

Procesi i ri i aplikimeve u çel më 3 mars 2026 dhe qëndroi i hapur për 20 ditë. Në vijim, kandidatët duhet të sigurojnë firmat e të paktën 28 deputetëve për të vijuar më tej në garë.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›