Vapa e gushtit nuk e zbeh gjallërinë e kryeqytetit

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Dielli i fortë, temperaturat e larta dhe rrugët që nxehen nën vapën e gushtit nuk e kanë zbehur gjallërinë e Tiranës.
Qytetarë, por edhe turistë të shumtë hasen në rrugët e kryeqytetit në këtë mes gushti, ku termometri ditën e sotme shënon 35 gradë Celsius.
Dikush nxiton për në punë, dikush ndalon nën hijet e pemëve, ndërsa fëmijët luajnë dhe freskohen në shatërvanët që ndodhen në sheshin “Skënderbej”.
Në shesh nuk mungojnë edhe turistët e huaj, të cilët pavarësisht temperaturave, kanë zgjedhur të njihen nga afër me qytetin, historinë, arkitekturën dhe jetën e tij të përditshme.
Grupe të vogla vizitorësh ndalen për fotografi, eksplorojnë sheshin dhe nisin shëtitjen drejt pikave kryesore të kryeqytetit, si Muzeu Bunkart 2, Piramida, Muzeu me Gjethe, etj, ndërsa një pjesë zgjedh orët e mëngjesit ose pasdites për të shmangur pikun e vapës.
Edhe çiftet e reja që kanë zgjedhur të kurorëzojnë dashurinë e tyre në këto ditë të nxehta gushti, nuk pengohen nga vapa për të memorizuar momentet e veçanta në xhaminë e madhe të Tiranës.
Në rrugët e Tiranës, vera duket qartë edhe në veshjet e lehta, shishet e ujit në duart e kalimtarëve dhe ritmin më të ngadaltë të lëvizjes gjatë mesditës.
Temperaturat e larta kanë sjellë edhe raste shqetësimesh shëndetësore, ku një qytetar, i cili nuk është ndier mirë teksa ndodhej në një nga zonat e Tiranës, ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Ambulanca ka mbërritur në kohë në vendngjarje, duke i dhënë qytetarit ndihmën e parë dhe duke e transportuar për një kontroll të mëtejshëm. Ky rast rikujton edhe një herë nevojën për kujdes gjatë ditëve me temperatura të larta, veçanërisht në orët e pikut të vapës.
Me afrimin e mbrëmjes, Tirana nis të marrë një tjetër ritëm. Temperaturat bëhen më të përballueshme, rrugët dhe sheshet gjallërohen, ndërsa qytetarët dalin për shëtitje, kafe apo darkë.
Edhe turistët vijojnë eksplorimin e kryeqytetit, duke zgjedhur orët e mbrëmjes për të shijuar më qetë atmosferën e qytetit.
Kështu, edhe në një nga ditët më të nxehta të gushtit, Tirana vijon të jetë e gjallë. Vapa ngadalëson ritmin gjatë mesditës, por nuk e ndal lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve, të cilët përshtatin ditën me temperaturat dhe e shijojnë kryeqytetin në orët më të freskëta.
1 nga 2/k.s/j.p/r.e/