Prefekti i Fierit për ATSH: Ende aktiv zjarri në zonën pyjore të Mallakastrës, pritet ndërhyrje nga ajri

TIRANË, 8 gusht /ATSH-Maela Marini/ Zjarri që ka përfshirë prej ditës së djeshme një pyll me pisha që shtrihet mes Patosit e Mallakastrës është ende aktiv, ndërkohë që pritet sërish ndërhyrja me helikopter nga ajri.
Në një prononcim për ATSH-në, prefekti i qarkut Fier, Arben Çuko informoi se trupat operacionale po veprojnë në zonë ku edhe ditën e djeshme është kryer ndërhyrja nga ajri.
“Në qarkun Fier, aktualisht kemi aktive vatrën e zjarrit në zonën pyjore Lofkënd-Drenie. Vatra është në territorin e bashkisë Mallakastër dhe është në tre drejtime”, informoi Çuko.
Sipas prefektit të qarkut Fier, aktualisht në terren po operojnë 5 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri (MZSH), 25 trupa të Forcave të Armatosura, si dhe 20 forca bashkiake.
Çuko informoi se në anën perëndimore të vatrës së zjarrit është e pamundur operimi me mjete apo forca, për shkak të terrenit.
Sipas prefektit, gjatë ditës së sotme pritet të ketë përsëri ndërhyrje nga ajri.
1 nga 4/r.e/