E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEHERAN – Anëtarësimi në traktatin bërthamor mbetet në fuqi për momentin

TEHERAN, 15  tetor /ATSH-DPA/ – Irani aktualisht nuk planifikon të tërhiqet nga Traktati i Mos-Përhapjes Bërthamore (NPT), deklaroi sot  kreu i Organizatës Iraniane të Energjisë Atomike.

“Kjo çështje nuk është në diskutim brenda qeverisë për momentin”, tha Mohammad Eslami sot pas një mbledhjeje të kabinetit në Teheran.

Traktati NPT ndalon shtetet që nuk kanë armë bërthamore të përpiqen t’i sigurojnë ato. Parlamenti iranian kishte kërkuar më parë tërheqjen nga traktati.

Megjithatë, Eslami theksoi se vendimi parlamentar për të pezulluar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) mbetet në fuqi.

Sipas medieve, aktualisht nuk ka inspektorë të IAEA-s në Iran, dhe çdo vendim për rinisjen e monitorimit i takon vetëm Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor, si dhe pas rivendosjes në gusht të sanksioneve të OKB-së nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të njohura si vendet E3, parlamenti iranian deklaroi se nuk sheh arsye për të vazhduar bashkëpunimin me agjencinë bërthamore të OKB-së apo për të mbajtur anëtarësinë në NPT.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe qeveria e tij, të konsideruar si të moderuar, kundërshtojnë masat përshkallëzuese në mosmarrëveshjen bërthamore.

Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të vendit, arritja e një marrëveshjeje shihet si gjithnjë e më e domosdoshme, veçanërisht për të lehtësuar pasojat e rënda të sanksioneve ekzistuese. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›