E Diel, 1 Nëntor 2026

President Topi priti Sekretarin e Përgjithshëm të KLD-së së Spanjës, Selso Rodriges.

20 shkurt 2008

Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë, Bamir Topi priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të KLD-së së Spanjës, Selso Rodrigez.

Presidenti Topi pasi e përgëzoi z. Rodrigez për seminarin e frytshëm të zhvilluar dje mbi çështje të gjyqësorit, shprehu mirënjohjen për kontributin dhe ndihmesën e vazhdueshme të Spanjës në drejtim të përsosjes së mëtejshme të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Kreu i shtetit pasi bëri një përshkrim të hollësishëm të ecurisë së reformës gjyqësore dhe ushtrimit nga ana e KLD-së të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të kombinuara me profesionalizëm, theksoi se vullnetet politike janë të shprehura qartë dhe në sinkron për çuarjen përpara dhe zbatimin e plotë e të suksesshëm të reformës në gjyqësor. Këtë e vërtetoi më së miri edhe miratimi së fundmi me konsensus nga të gjitha forcat politike si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës në Parlamentin shqiptar i ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Arritja e këtij objektivi, e shoqëruar me transparencë të plotë do rikthente besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonte edhe plotësimin e kritereve të kërkuara në funksion të përmbushjes së aspiratës së vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Europian, është shprehur Presidenti Topi.

Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së spanjolle, Rodriges vlerësoi arritjet e bëra në Shqipëri në fushën e drejtësisë, kalimin nga fjalët në vepra konkrete, marrëveshjen dhe frymën konsensusale mbi reformën në gjyqësor, duke vënë në dukje rolin pozitiv dhe moderator të luajtur nga Presidenti i Republikës në këtë drejtim. Z. Rodriges theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike të të gjithë kaheve për arritjen e marrëveshjes politike mbi reformat jetike për vendin që sjell si pasojë edhe vendosjen e mëtejshme të një paqeje të qëndrueshme shoqërore, zhvillimi ekonomik dhe begatie për mbarë vendin, aq më tepër tani që roli moderues dhe pozitiv i Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon ka dalë më tepër në pah se kurrë më parë.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›