E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Begaj reagon për tragjedinë në Shëngjin: Ngushëllime familjeve! Institucionet të marrin masat për të garantuar sigurinë në plazhe

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë pasdite në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën si pasojë e mbytjes në det, ndërsa tre të tjerë u shpëtuan në plazhin e “Ranës së Hedhun”. 

Me një mesazh ngushëllimi, kreu i Shtetit shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e jetës së dy të rinjve dhe solidaritetin me familjet e viktimave.

 “Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre,” tha Begaj. 

Presidenti nënvizoi se kjo tragjedi është një kujtesë e fortë për rëndësinë e kujdesit dhe respektimit të çdo mase sigurie në plazhet e vendit.

Ai bëri thirrje për angazhim maksimal të institucioneve dhe operatorëve turistikë për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë gjithë sezonit veror.

“Nisur nga ky rast i rëndë, ftoj institucionet qendrore dhe vendore, si edhe operatorët turistikë, të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në plazhe gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe vizitorëve,” u shpreh ai. 

Pasditen e sotme, në zonën bregdetare të Shëngjinit pesë pushues nga Kosova u përballën me dallgë të larta dhe kushte të vështira në det, duke sjellë humbjen e jetës së dy prej tyre, ndërsa tre të tjerë u shpëtuan në plazhin e “Ranës së Hedhun”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›