E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron këngëtarin dhe kompozitorin e shquar, Avni Mula me Urdhrin "Nderi i Kombit".

27 shkurt 2008

President i Republikës, Bamir Topi dekoroi sonte këngëtarin dhe kompozitorin e shquar Avni Mula me Urdhrin “Nderi i Kombit” në 80-vjetorin e lindjes.

Kreu i shtetit ia dorëzoi personalisht z. Mula titullin e lartë të akorduar me motivacionin: “Për kontribut të shquar në intepretimin dhe pasurimin e fondit të artë të muzikës shqiptare dhe asaj botërore me vlera origjinale, si shenjë e përafrimit kulturor dhe shpirtëror ndërmjet popujve dhe kulturave të ndryshme” në përfundim të koncertit festiv “Valsi i Lumturisë” të organizuar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me rastin e 80-vjetorit të lindjes së artistit të madh shqiptar ku morën pjesë këngëtarë, artistë, personalitetete të shquara të artit e kulturës, politikanë, përfaqësues të qeverisë dhe artdashës të shumtë.

Presidenti Topi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi: “Sigurisht kjo mbrëmje e mrekullueshme na ka mbushur me emocion. Edhe unë nuk mund t’i shpëtoj emocioneve, për spektaklin kaq të bukur, natyrisht edhe për eventin që na ka mbledhur këtu. Unë ju uroj i dashur, i nderuar z. Avni, gëzuar ditëlindjen, edhe shumë vite të tjera kaq të bukura si këto. Po mundohesha të gjeja fjalën e rastit, mund t’ju them që pakkush e feston 80-vjetorin e lindjes në këtë mënyrë. Gjithsekush do të dëshironte që në 80-vjetorin e lindjes të ishte i rrethuar me kaq miq, që ju duan kaq shumë, të ishte i rrethuar me kaq respekt, me kaq vlerësim për veprën tuaj. Gjithsekush do të donte që në 80-vjetorin e lindjes të kishte këtë që kishit dhe ju, këtë gjendje të mrekullueshme fizike që keni ju, sepse jeni ende në krijimtari, dhe mbi të gjitha ju keni realizuar një produkt jo vetëm gjenetik, keni realizuar një produkt artistik që sot nuk i takon vetëm kësaj skene, por i takon skenave botërore. Unë para pak ditësh kam firmosur jo vetëm me respekt, jo vetëm me shumë motivim, por ju siguroj dhe me shumë dashuri një dekret që lidhet me ju. Ju keni përmasa kombëtare, sepse ju keni lindur në Gjakovë, u rritët në Shkodër, zhvilluat aktivitetin tuaj brilant në Tiranë, i jeni përkushtuar shumë historisë së kombit tonë, i cili sot realisht është në një ditë shumë të gëzuar. Kështu që nuk kishte arsye tjetër që t’i shmangeshim atij motivimi, për dekretin i cili ishte “Nderi i Kombit”. Kam qenë i vogël kur doli “Valsi i lumturisë”. Në fakt ai është valsi i dashurisë. Valsi i lumturisë që sot është një himn dhe jo rastësisht ju e cilësuat këtë mbrëmje gala “Valsi i dashurisë”. Jam menduar gjatë për të parë se cilat janë figurat emblematike të festivalit. Ju jeni një emblemë që vini si kantautor. Vaçe Zela është emblemë e këngëtarëve të festivalit, dhe jo rastësisht ju të dy kënduat “Valsin e lumturisë”. Ju uroj sinqerisht për ditëlindjen, ju uroj për të gjithë këtë performancë që keni pasur, ju uroj shumë ditë të bukura, ditë të mbushura me krijimtari”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›