E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u urojnë Festën e Sulltan Novruzit besimtarëve bektashinj shqiptarë.

22 mars 2008

Presidenti i Republikës Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi ka vizituar Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë me rastin e Festës së Sulltan Novruzit.

Kryetari i Shtetit i ka përcjellë Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhit urimet më të mira për të gjithë besimtarët bektashinj në përkujtimin e ditëlindjes së profetit Imam Aliu që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira.

Bashkimi, dashuria e mirësia mes njerëzve dhe thirrja për paqe janë mesazhet kuptimplota që mbeten aktuale për të gjithë shqiptarët është shprehur Presidenti i Republikës, i cili ka përcjellë edhe urimin e tij për të gjithë besimtarët bektashinj nëpërmjet mediave: “Gëzuar Festën të gjithëve! Në radhë të parë, u uroj gëzuar besimtarëve bektashinj, Ditën e Sulltan Novruzit!
Ju thashë Gëzuar të gjithëve, sepse ne gëzojmë festat e të gjithëve, që presupozon në mënyrë shumë të qartë harmoninë fetare. Eshtë një ditë kur mbi sakrificën ngrihet paqja dhe ne jemi popull që kemi sakrifikuar shumë në momente të ndryshme, dhe në këto momente, jemi në një çast kur duhet të përballojmë një sakrificë të fortë në funksion të kapërcimit të kësaj tragjedie dhe pasojave që ka lënë ajo, dhe jam i bindur që duke pasur dhe një lloj inspirimi nga ajo që jep pikërisht kjo ditë. Mbi këtë sakrificë me siguri që ne do të ngremë paqen, një paqe të fortë, një paqe të konsoliduar. Kemi rastin të sjellim në kujtesë të gjithë patriotët, duke filluar me Abdyl Frashërin, me Naim Frashërin dhe të gjithë baballarët e tjerë në të gjitha trevat e Shqipërisë, të cilët nëpërmjet linjës së përçimit të fesë, kanë ditur të japin një mesazh të qartë atdhedashurie dhe për gjithë ato vlera që ka mirëkuptimi në të gjitha trevat e Shqipërise. Edhe një herë urime dhe përshëndetje!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›