E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të diplomave të para të Shkollës shqiptare të Studimeve Politike.

24 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të diplomave të para të Shkollës shqiptare të Studimeve Politike, e cila u krijua këtë vit nga Këshilli i Europës për të zhvilluar një bashkësi politikanësh të rinj dhe udhëheqësish civilë, të cilët do të mund të zbatojnë modelin demokratik të qeverisjes.

Presidenti Topi iu drejtua të porsadiplomuarve me një fjalë pëshëndetëse ku midis të tjerash tha: “Dua të përgëzoj të gjithë protagonistët e kësaj ngjarjeje të shënuar për Shqipërinë, të përgëzoja dhe falenderoja Këshillin e Europës që ka asistuar në këtë ndërmarrje mjaft të vlefshme jo vetëm për individët, por edhe për institucionet shqiptare. E kam shprehur edhe në një takim që kemi patur së bashku: unë nuk do t’ju quaja studentë, sikurse ramë dakord edhe me përfaqësuesin e Këshillit të Europës, por pjesëmarrës, pasi secili nuk është në moshën e studentit, ashtu siç jemi mësuar që të perceptojmë moshën e studentit, por jeni njerëz që keni kontribut real, specifik secili në fushat e veta, nuk keni ardhur me një predispozicion për të bërë karrierë politike, por keni ardhur keni ardhur me një predispozicion të qartë për t’u bërë pjesëmarrës në politikat e institucioneve të ndryshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në një vend ku, pas 17 vitesh nga momenti i ndryshimit të sistemit, ka një klasë politike, e cila për fatin e historisë së këtij vendi, nuk erdhi nga shkollat specifike të politikës. Secili erdhi nga pozicionet e veta dhe kjo është një gjë për t’u vlerësuar dhe për t’u admiruar, sepse të gjithë politikanët u ngritën mbi profesionet e tyre për të bërë ligje, për t’i shërbyer këtij vendi dhe është momenti që mbas 17 vitesh ne të vlerësojmë realisht kontributin e të gjithë politikanëve, të të gjithë brezave, që kanë dhënë kontributin e tyre në Parlament, në qeveri, në institucione të ndryshme edhe në një moment shumë sifinjikativ, kur mbas kaq vitesh krijohet dhe fillon të funksionojë Shkolla e Studimeve Politike. Kjo është një erë e re për Shqipërinë. Të mos harrojmë edhe një fakt tjetër që sot ka mjaft studentë shqiptarë në botë që formohen në shkolla të tilla dhe kjo është një premisë shumë e rëndësishme, shumë domethënëse, shumë optimiste për të ardhmen e Shqipërisë, që do të fillojë të funksionojë në breza, të cilët do t japin një ndihmesë të drejtëpërdrejtë dhe shumë kualitative nëpër institucione, sigurisht, pa anashkaluar gjithashtu eksperiencën e brezave, të cilët kanë dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim. Unë edhe një herë do t’ju falenderoj për ftesën që më bëtë, do t’ju inkurajoj që, ky mision që ka filluar të konsolidohet më tej dhe, jam i bindur që të gjithë së bashku do të kontribuojmë gjithnjë e më shumë për forcimin e institucioneve të Shqipërisë në një sistem plotësisht demokratik”.

Në emër të Këshillit të Europës foli Drejtori i Përgjithshëm për Demokraci dhe Çështjet Politike i këtij Këshilli, Zhan-Lui Loren, i cili, pasi vuri në dukje rëndësinë dhe suksesin e kësaj Shkolle dhe të simotrave të saj në pjesë të ndryshme të Europës, në përshëndetjen e tij citoi edhe fjalën e Presidentit Topi drejtuar Parlamentit shqiptar më 24 korrik 2007: “Jam i bindur se në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk ka ndarje dhe kampe. Ka vetëm vullnet të mirë nga ata që e duan këtë vend. Ka ardhur koha që gjithësecili të vendosë se si dëshiron t`i shërbejë këtij vendi, si njeri me shpirt dhe besim të lirë”.

Të porsadiplomuarve, iu drejtua me urimet dhe vlerësimet e tij edhe Ambasadori i i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›