E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nis një vizitë dyditore në Dibër duke ngushëlluar familjen Çenga.

2 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka nisur një vizitë dyditore në Dibër. Kreu i shtetit është pritur nga Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë Ilir Krosi, Kryetari i Qarkut, Naim Gazidede dhe deputetët e zonës Rahim Kaleci, Sali Shehu dhe Albert Faruku.

Vizitën e parë Presidenti Topi e ka bërë në familjen e dhjetëvjeçarit Bekim Çenga, i cili u nda nga jeta në mënyrë tragjike. Presidenti Topi u ka shprehur ngushëllimet prindërve e të afërmve për humbjen e parakohshme të vogëlushit Çenga. “Ajo çfarë ka ndodhur është një veprim barbar që i ka tronditur të gjithë shqiptarët. E imja është një vizitë njerëzore, sepse shqiptari e ka në traditë që dhimbjen e ndan me miq e dashamirës dhe duhet që bashkë ta përballojmë këtë dhimbje, sidomos dhimbja e nënës, e cila është një dhimbje e veçantë”. –është shprehur Presidenti Topi.

Familja Çenga ka vlerësuar vizitën njerëzore të Presidentit Topi, duke u shprehur se ajo çka presin nga shteti është vënia e drejtësisë në vend.

Duke uruar që familjarët ta kalojnë sa më lehtë dhimbjen, Presidenti Topi ka theksuar se duhet mbajtur një qëndrim i fortë për të hetuar këtë ngjarje makabre dhe se vetë do të angazhohet personalisht për të vënë drejtësinë në vend.

”Drejtësia duhet te ketë njerëz kompetentë, të cilët duhet të jenë të aftë për të parandaluar këto lloj fatkeqësish, por në momentin që fatkeqësi të tilla ndodhin, duhet treguar angazhimi maksimal që drejtësia të vihet në vend”, – theksoi Kreu i Shtetit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›