E Diel, 1 Nëntor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, BAMIR TOPI NË KONFERENCËN E ILDKP-së.

25 shkurt 2008

E nderuara Znj. Kryeinspektore,
I nderuar z. Beja, Nënkryetar i Parlamentit shqiptar,
Të nderuar zotërinj Deputetë,
Të nderuar përfaqësues të Institucioneve Kushtetuese,
Të nderuar përfaqësues të Institucioneve Ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të Institucioneve Homologe të Rajonit,
Të nderuar Zonja, të nderuar Zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë të drejtoj një fjalë përshëndetëse në këtë takim mjaft të rëndësishëm që juve po organizoni, duke marrë në konsideratë këtu, edhe rëndësinë e veçantë që ka institucioni juaj, veprimtaria e tij, në luftën kundër fenomeneve korruptive dhe abuzimeve të funksionarëve publikë me pushtetin, me detyrën. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është një institucion i ri, i krijuar pikërisht me qëllimin për të parandaluar fenomenet e korrupsionit nga zyrtarët e shtetit, duke kontrolluar dhe evidentuar pasuritë e tyre. Mund të them se ky institucion, ashtu sikurse çdo institucion tjetër që konsiderohet relativisht i ri, ka patur vështirësitë e tij në gjetjen e pozicionit në raport me ente të tjera publike që operojnë në të njëjtën fushë, por me kompetenca të tjera, si dhe i është dashur të krijojë dhe përmirësojë metodikën e veprimtarisë së tij për të bërë të mundur ushtrimin e funksioneve të veta sipas atyre që parashikohen me ligj.

Sipas të gjithë informacionit që kam, Inspektoriati sot, me strukturat e krijuara, me infrastrukturën e tij por edhe nga pikëpamja njerëzore është i aftë t’u përgjigjet plotësisht kërkesave të kohës, të cilat lidhen jo vetëm me nevojën e kushteve që duhen përmbushur në funksion të shtetit të së drejtës, por edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe më tej, në Bashkimin Evropian. Kam përshtypjen se me krijimin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe kontrollit të Pasurive, u krijua ideja se barra për të evidentuar dhe luftuar korrupsionin dhe abuzimin me detyrën nga funksionarët e shtetit i kaloi plotësisht këtij institucioni. Kjo, edhe pse e pa deklaruar, rezulton nga mënyra se si ente të tjera të shtetit, siç janë, kontrollet e brendëshme dhe deri tek strukturat e prokurorisë, por edhe ente të tjera publike, apo qoftë edhe struktura politike, e kanë parë luftën kundër korrupsionit, si ekskluzivitet të këtij Inspektoriati. Me këtë nuk dua të them se strukturat e tjera të shtetit nuk kryejnë funksionet e tyre, por, dua të evidentoj faktin që shteti funksionon dhe duhet të funksionojë si një i tërë, ku secili përbërës i tij kryen funksionet e caktuara ne ligj, por njëkohësisht dhe në mënyrë të ndërvarur nga njëri-tjetri.

Korrupsioni sot është ndër çështjet më të ndjeshme dhe më shqetësuese për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, dukuri që në ditët e sotme sjell ndër të tjera dhe dy pasoja të drejtpërdrejta që konsiderohen shumë të rrezikshme:

Së pari, sepse gërryen themelin moral të shoqërisë sonë, pa të cilin nuk ka dhe nuk mund të ketë një ndërtesë të fuqishme ku të ngrihet kjo shoqëri dhe shteti i së drejtës aq shumë i dëshiruar prej të gjithëve ne.

Së dyti, ky fenomen shkakton një dëm të jashtëzakonshmëm për besueshmërinë e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare si një partner i aftë dhe si një kandidat potencial për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike.

Nevoja për bashkëpunim me strukturat e tjera të shtetit është një domosdoshmëri për të bërë të mundur zbatimin e ligjit dhe rritjen e efiçencës të veprimtarisë së institucionit tuaj. Për të arritur këtë kërkohet patjetër një hapje më e madhe në raport me institucionet e tjera të shtetit, duke krijuar një partneritet për ndjekjen e një qëllimi të përbashkët dhe objektivave të caktuara, pa dëmtuar interesat e ligjit dhe kompetencat e gjithsecilit. Nga ana tjetër, kërkohet një obligim më i madh i institucioneve të tjera shtetërore, për t’u ofruar bashkëpunimin dhe ndihmën që inspektoriati u ka kërkuar dhe u kërkon atyre. Pra, kjo duhet të jetë e dyanshme, duhet të jetë e vazhdueshme, dhe jo e bazuar mbi aksione sporadike e momentale sipas vullneteve subjektive.

Mendoj se nuk janë të mjaftueshme vullneti dhe dëshira për bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër korrupsionit, por kërkohet edhe ndërhyrje e mëtejshme në legjislacionin aktual për të bërë të mundur që bashkëpunimi të vijë edhe si rezultante e këtyre ndryshimeve.

Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se në asnjë moment se lufta kundër korrupsionit dhe shmangia e konfliktit të interesave nuk mund të bëhet me sukses vetëm nga një institucion ose organizatë. Ajo çfarë nevojitet është një aksion i përbashkët i tërë organizmave shtetëror dhe jo shtetëror, që kanë të njëjtin qëllim, eleminimin e kësaj të keqeje gërryese.

Kjo do të na çonte edhe më tej, në një reformim më të mirë në planin afatgjatë të funksionimit të këtij Inspektoriati, edhe përsa i përket organizimit dhe strukturimit të tij, për t’iu përgjigjur nevojave të kohës. Është fakt që, pavarësisht punës së mirë që Inspektoriati ka bërë deri më sot, përsa i përket kryesisht parandalimit të fenomeneve korruptive, pasi të kontrolluarit e dinë që ky Inspektoriat egziston dhe funksionon, efektiviteti dhe rezultatet e deritanishme tregojnë se puna e bërë ka qenë e pamjaftueshme dhe se fenomenet e korrupsionit, për pasojë, kanë mbetur kryesisht në nivel të përgjithshëm dhe me pak individë të evidentuar si të tillë.

Ky moment sigurisht ka një rëndësi të veçantë, është një temë shumë e ndjeshme, që duhet të shkojë në sinkron me të gjithë shqetësimin që kanë jo vetëm partitë politike, të cilat janë përfshirë në një debat për çështjen e reformës elektorale, por kjo është një çështje mjaft e ndjeshme, që prek drejtpërdrejt ndjeshmërinë qytetare. Eshtë e kotë të bëjmë koment, në mjaft raste ndihet, në mjaft raste merret informacion, në mjaft raste është pjesë e debatit publik, pikërisht teprimi me financimin e fushatave elektorale, qofshin këto në zgjedhjet e përgjithshme politike, qofshin këto në zgjedhjet e pushtetit vendor, qofshin këto në zgjedhjet e pjesshme për një komunë të caktuar. Qoftë nga eksperienca individuale, qoftë nga eksperienca bashkëkohore, njerëzit që kanë reputacion publik, nuk kanë nevojë për financime, nuk kanë nevojë që të abuzohet në këtë linjë.
Natyrisht, fushatat elektorale kanë nevojë për financa të cilat janë ligjore, për financa të cilat janë transparente, e në këtë sens unë mendoj që Inspektoriati, por jo vetëm Inspektoriati, sepse do të ishte i pafuqishëm, por besoj një harmonizim i interesit dhe i punës së mjaft institucioneve, duke filluar nga vetë partitë politike, e sidomos nga ato parlametare që janë pjesë jo vetëm e këtij diskutimi politik publik, por janë pjesë edhe e iniciativës ligjvënëse, duhet të kenë parasysh, jo vetëm rregullimin ligjor, por edhe nevojën për ngritjen e një infrastrukture, e cila do të bëjë të mundur që të mbrohet pikërisht vullneti i çdo qytetari në mënyrë që, pavarësisht nga sistemi elektoral që do të zgjidhet, që është një e drejtë ekskluzive e partive politike parlamentare, është një e drejtë ekskluzive e parlamentit shqiptar. Pra, pavarësisht nga sistemi, duhet të garantohet e drejta e marrjes pjesë në mënyrë të barabartë në debate, në fushata, të garantohet e drejta e votës, në mënyrë që Parlamenti shqiptar në të ardhmen, pavarësisht nga sistemi, të ketë më shumë prani të grave në parlament, të cilat për hir të së vërtetës, në këto beteja elektorale kaq të forta, kaq maskiliste, në mjaft raste e kanë të vështirë jo të arrijnë suksesin, por e kanë të vështirë edhe të futen në konkurrim. Ne duhet ta pranojmë këtë si një realitet i cili duhet të përballohet. Parlamenti shqiptar duhet, në zgjedhjet e ardhshme natyrisht, të shkojë në standartet që kanë jo vetëm vendet e rajonit, por vendet me demokraci të zhvilluar që të krijojnë jo vetëm kushtet për konkurrim, por të kërkojnë patjetër nevojën për një pjesëmarrje më të madhe të grave. Dhe unë besoj të gjitha gjërat janë të lidhura, nuk janë spontane, nuk janë trajtime metafizike segmentare, por të gjitha vijnë edhe nëpërmjet reformimit të ligjit dhe kontrollit të financimit të fushatave, qoftë kjo edhe në planin individual. Unë jam i besimit që kjo gjë do të merret në konsideratë, sepse kjo ka ardhur dhe si një pjesë e shqetësimit nga vetë partitë politike. S’mund të jenë të gjithë të infektuar, kurrsesi, por duhet të shkojmë tek ajo pjesë ku personazhet politikë duhet të shprehin më shumë personalitetin e tyre, të shprehin më shumë vlerat e tyre dhe të jetë më pak i nevojshëm shpenzimi i financave.

Gjithsesi, për temën që ne diskutojmë sot, Inspektoriati i Kontrollit të Pasurive duhet ta shtrijë aktivitetin e vet edhe në këtë linjë për të marrë një vlerësim tjetër, për të marrë një kredibilitet tjetër publik, për të marrë të drejtën e vlerësimit objektiv, dhe natyrisht, sikurse e thashë, pa e tepruar, them që s’mund ta bëj i vetëm. Por duhet ta bëjë! Duhet të filloj ta bëjë! Duhet të fillojë të evidentojë raste. Në menyrë absolute asgjë s’mund të kamuflohet, ne jemi një vend i vogël. Gjithçka dihet, gjithçka diskutohet. Ajo që diskutohet në tavolina të ngushta, ajo që diskutohet në tavolina kafenesh, ka nevojë të diskutohet me zë të lartë dhe të hapur, dhe me transparencë të plotë, në mënyrë që konkurrenca të jetë reale, konkurrenca të jetë civile, të jetë qytetare, të jetë sikurse thashë, mbi bazën e parametrave të vlerësueshëm nga shoqëria. Dhe unë besoj që tendencat janë të qarta, Shqipëria, institucionet e saj duhet të shkojnë në këtë drejtim në mënyrë progresive, por është shumë e rëndësishme që hapat duhet të bëhen me intensitet më të lartë.

Në vitet e fundit është miratuar një paketë ligjore, në përmbajtje të së cilës përfshihen disa ligje dhe akte nënligjore që kanë për qëllim sigurimin e një barriere ligjore ndaj korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesave. Por është shumë e nevojshme të kryhen përmirësime të tjera në legjislacion, siç janë një përputhje e legjislacionit aktual dhe akteve ndërkombëtare mbi korrupsionin, si dhe shumë i rëndësishëm paraqitet edhe rregullimi i financimit të partive politike dhe organizative, ku është e nevojshme të parashikohen mekanizma ligjorë që të eleminohen tërë mundësitë e një varësie financiare mes bisnesit dhe entiteteve politike në vend.

Është shumë i rëndësishëm ndërtimi i një kornize bashkëpunimi ndërinstitucional që të jetë përgjegjës në radhë të parë për parandalimin, zbulimin në kohën e duhur dhe dënimin e akteve korruptive të konstatuara. Kjo kornizë duhet të përfshijë tërë sektorët e legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit, duke mundësuar kështu një përpjekje të përbashkët dhe të mirësinkronizuar nga tërë aktorët, nga të cilët varet suksesi i luftës kundër korrupsionit dhe forcimi i imazhit pozitiv të Shqipërisë në sfidat integruese Euro-Atlantike .

Unë me këtë rast dëshiroj ta mbyll fjalën time përshëndetëse duke ju uruar juve, të nderuar miq, dhe të ftuar, mbarëvajtje të punimeve të këtij takimi, diskutimet produktive të të cilit do të ndihmonin në gjetjen e rrugëve më të mira dhe efikase të bashkëpunimit ndërinstitucional, për parandalimin dhe evidentimin e abuzimit me detyrën shtetërore!

Edhe një herë suksese! Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›