E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me familjarë të minatorëve që kanë humbur jetën në Minierën e Bulqizës gjatë dy viteve të fundit.

12 shkurt 2008

Pas ngushëllimit në familjen Alliu, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga deputetët Sali Shehu, Rahim Kaleci dhe Genc Sharku, Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Prefekti e Kryetari i Qarkut dhe drejtues të tjerë vendorë, është takuar me familjarë të minatorëve që kanë humbur jetën në Minierën e Bulqizës gjatë dy viteve të fundit.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e Bashkisë së Bulqizës, familjarët i kanë shprehur Presidenti Topi mirënjohjen për këtë vizitë, duke evidentuar faktin se për herë të parë një Kryetar Shteti vjen të takohet me ta për të ndarë shqetësimet e dëgjuar problemet e tyre. Gjithashtu, familjarët i kanë renditur Presidentit të Republikës vështirësitë e rënda ekonomike me të cilat ata përballen pas humbjes së kryefamiljarëve në Minierën e Bulqizës.

Presidenti Topi në fjalën e tij është shprehur:

“Është një moment jo i lehtë për mua që të ndaj dhimbjen me ju, me fatkeqësinë që ka prekur familjet tuaja. Sot pata rastin të ngushëlloj një familje tjetër që i’u shtua ritualit të tragjedive që kanë prekur kohët e fundit Minierën e Bulqizës. Nuk ishte thjesht një rit ngushëllimi, por edhe një ndarje e të gjithë këtij preokupimi, që nuk ka të bëjë thjesht me familjet e prekura nga fatkeqësitë, por me të gjithë komunitetin e minatorëve. Kuptohet që familjet që preken nga fatkeqësitë janë ato që e ndjejnë më shumë, janë jetët që ikin, por edhe problemet që mbeten prapa në familjet e tyre, pasi secili minator lë pas një familje me fëmijë të vegjël, fëmijë në moshën e adoleshencës, që kërkojnë një përkushtim tjetër për t’u rritur. Kuptohet që kushtet jot ë lehta e vështirësojnë këtë gjë. E kam ndjekur prej kohësh këtë situatë shumë shqetësuse dhe kam pritur një përfaqësi të sindikatave të minatorëve në zyrën time, duke ndarë me ta këtë shqetësim. Të njëjtin shqetësim kam ndarë edhe me deputetët, veçanërisht me deputetin tuaj z. Shehu dhe shqetësimi ka qenë se të tilla tragjedi duhet të parandalohen dhe është plotësisht e mundur të parandalohen. Jam këtu për t’ju garantuar mbështetjen jo vetëm morale, të të gjitha institucioneve për t’ua bërë jetën më të lehtë, që fëmijët tuaj të kenë kushte specifike për t’u rritur e edukuar. Kam gjithë informacionin edhe për ndihmat që ju janë dhënë, të cilat nuk mund të kompensojnë kurrë humbjen e njerëzve tuaj të dashur, por duke e diskutuar gjatë këtë shqetësim kemi rënë dakord që historia e tragjedisë së minierës duhet të stopohet. Ka mjaft hallka që duhet të bashkëpunojnë: duhet të bashkëpunojë shteti së bashku me firmat që administrojnë këtë pasuri të mrekullueshme që ka Shqipëria dhe duhet të vendoset ekuilibri, që duhet të jetë i tillë: ai që fiton duhet të vendosë standarde dhe parametra. Ata që vijnë dhe administrojnë,pra investitorët, natyrisht që jemi të lumtur që ka investime, sepse ekonomia shqiptare ka nevojë për to, duhet të krijojnë kushtet e punës. Këto nuk bëhen me fjalë, por me ligje, rregulla, të cilat kanë nevojë patjetër që të përmirësohen, sepse një situatë e tillë të imponon të korrigjohesh dhe jemi pikërisht përpara një situate që ka nevojë imediate që të korrigjohet. Ne kemi diskutuar për mundësinë e një iniciative që do të vijë nga deputetët që janë të pranishëm këtu, por që kam bindjen se do të mbështetet edhe nga deputetë të tjerë, për të pasur statusin e minatorit, si momenti bazë ku rregullohen të gjitha veprimtaritë: rregullohen dhe detyrimet e shtetit, të inspektoriatit, detyrimet e firmës, por edhe detyrimet për vetë minatorët. Kur them që gjërat duhet të jenë sipas rregullit, duhet të jenë sipas rregullit për të gjithë.

Është plotësisht e mundshme që në kushtet aktuale edhe të koniukturës së çmimeve të mineralit të kromit në tregun botëror, kur çmimi rritet, atëherë duhet rritur edhe vëmendja. Të mos kemi mundësi që të shohim dispoporcione që dikush lumturohet nga rritja e çmimit të mineralit në tregun botëror dhe nga ana tjetër shikojmë që nuk është e njëjtja vëmendje për të krijuar kushtet e punës. Është shumë e lehtë ta shikosh nga jashtë një tragjedi, por ata që e përjetojnë tragjedinë drejtpërdrejtë natyrisht që në radhë të parë janë familjarët, janë ata fëmijët e vegjël, të cilët sot nuk dinë gjë, por me kalimin e viteve do ta ndiejnë peshën humbjes së prindit, mungesa do të ndihet gjithmonë e më shumë. Kështu që, për t’i parandaluar këto situata që të bëhemi vërtet humanë, duhet që t’i vendosim këto rregulla. Dhe në rast se ky mekanizëm është shumë kompleks, do të thotë që këtu janë pjesëmarrës të gjithë, është shteti, i cili ka detyrimin, sikurse thashë, të bëjë edhe përmirësimet ligjore, janë strukturat, inspektoriatet të gjitha me radhë që të garantojnë rregullat e sigurisë ne punë, janë firmat, kompanitë, është edhe komuniteti. Unë jam i bindur që duke ecur në këtë linjë, jo një linjën e politizimit të situatave, por në linjën e realizmit shumë profesional të të gjitha kushteve. Unë jam i bindur që të gjithë kanë një lloj preokupacioni, por ky preokupacion i shprehur me fjalë duhet të zyrtarizohet, të zyrtarizohet nëpërmjet vendosjes së disa rregullave dhe besoj që një nga momentet më të rëndësishme është pikërisht ai që kërkojnë edhe sindikatat, të cilat nga natyra sigurisht duhet që të harmonizojnë më mirë veprimtarinë e tyre.

Nuk jam këtu për të dhënë mësime për sindikatat, por sindikatat kur sinkronizojnë zërin e tyre, vijnë me një zë më profesional dhe gjërat janë më të thjeshta për t’u dëgjuar dhe për t’u zbatuar. Ne duhet të jemi të hapur patjetër për diskutime, pse jo edhe për debate, të cilat do t’i shërbejnë riparimit sa më shpejt të kësaj situate. Unë kam parë që gjatë muajve të fundit ka tendenca për përmirësim dhe për përkujdesje, por nuk është e mjaftueshme. Kështu që të gjithë së bashku, qoftë deputetët e këtij rajoni, qoftë strukturat e pushtetit vendor, qoftë strukturat që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e ministrisë që e ka nën administrimin e vet, qoftë me rregullat, qoftë dhe me përgatitjen e kuadrit ligjor, duhet një bashkëpunim i të gjithëve, pse jo edhe i medias për ta sensibilizuar këtë situatë në mënyrë që ne të krijojmë patjetër një situatë të re, më optimiste, në mënyrë që Bulqiza të mos shikohet thjesht si vendi i tragjedive, por Bulqiza të shikohet si një vend që ka vërtet pasuri natyrore, që ia ka falur natyra, por dhe njerëzit të dinë ta administrojnë me shumë mençuri në mënyrë që kjo pasuri nëntokësore që ekziston në Bulqizë t’i kontribuojë rritjes së standardeve ekonomike të familjeve që jetojnë Bulqizë. Kjo do të krijonte ekuilibrin e duhur dhe jam i bindur që gjërat do të shkojnë në këtë linjë, sepse do të jetë një interesim i të gjithë hallkave që unë sapo përmenda. Unë dëshiroj t’ju uroj mbarësi për fëmijët. Natyrisht që pas këtyre humbjeve, të cilat janë të pakompensueshme, por gjithsesi, atyre që mbesin duhet patjetër t’u krijojmë kushte dhe t’u kushtojmë kujdes, dhe këtë patjetër që duhet ta bëjmë me të gjithë kontributin e përfaqësuesve që janë të pranishëm edhe në këtë tryezë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›