E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti Ambasadoren e SHBA-së në NATO, Viktoria Nuland.

7 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadoren e SHBA-së në NATO, Viktoria Nuland, e cila shoqërohej nga një delegacion me përfaqësues të institucioneve zyrtare amerikane.

Presidenti Topi vlerësoi rolin dhe kontributin e SHBA-së në ecurinë e zhvillimeve në vendin tonë duke evidentuar marrëdhënien e shkëlqyer që ekziston mes dy vendeve, e demonstruar edhe me vizitën historike të Presidentit Xhorxh W. Bush në Shqipëri.

Gjatë takimit u përshëndet zgjedhja kushtetuese e Presidentit Topi në muajin korrik nga parlamenti si zgjidhja që shmangu zgjedhjet e parakohshme.

Gjithashtu u vlerësua dhe u mbështet puna e deritanishme e Kryetarit të Shtetit në nxitjen e bashkëpunimit mes forcave politike në interes të reformave madhore të vendit si dhe përpjekjet e Presidentit Topi gjatë vizitës së tij të punës në Maqedoni.

Gjatë takimit Presidenti Topi u shpreh se do të vazhdojë të angazhohet për qëndrueshmërinë në vend, për konsolidimin e institucioneve, për ekuilibrimin e marrëdhënieve mes forcave politike në funksion të thellimit të reformave dhe garantoi se Shqipëria do vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen faktor qëndrueshmërie në rajon, ashtu siç e ka demonstruar me çështjen e Kosovës.

Presidenti shqiptar shprehu vullnetin e pandryshueshëm të të gjitha autoriteteve e të popullit shqiptar për të vazhduar e thelluar reformat integruese për në NATO dhe shprehu bindjen se në Samitin e ardhshëm të zgjerimit në Bukuresht, Shqipëria do të marrë vlerësimin e merituar për përpjekjet e saj.

Nga ana e saj ambasadorja Nuland u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do punojnë së bashku me Presidentin dhe qeverinë shqiptare për të bërë edhe gjërat e fundit të nevojshme që i duhen Shqipërisë për t’u vënë në pozita të fuqishme për sfidën e integrimit në NATO.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi situatën në Kosovë dhe zgjidhjen e statusit të saj në të mirë të stabilitetit të Kosovës e të gjithë rajonit, si dhe u shpreh shqetësimi reciprok për ngjarjet e fundit në Maqedoni.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›