E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti sot Ambasadoren e Republikës Islamike të Pakistanit, Tasnim Aslam (Khan).

12 maj 2008

Presidenti Topi priti Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Pakistanit, Tasnim Aslam (Khan), rezidente në Romë, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Pasi i uroi mirëseardhjen Ambasadores Aslam dhe suksese në përmbushjen e detyrës së saj, Presidenti Topi shprehu dëshirën për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me palën pakistaneze në fushën politike dhe ekonomike, nëpërmjet shkëmbimeve të vizitave në nivel ekspertësh dhe në nivel të lartë politik.

Në takim, Presidenti Topi vlerësoi konkretizimin e bashkëpunimit midis Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve tona dhe studimin e mundësive të shkëmbimeve tregtare, konkretisht mundësitë që Pakistani ka ofruar përvojën në ndërtimin e termocentraleve për prodhimin e energjisë me gaz ose naftë, si dhe investime të tjera, duke qenë se Pakistani është i zhvilluar në këtë fushë.

Presidenti Topi vuri në dukje gjithashtu vendin e rëndësishëm të Pakistanit në arenën ndërkombëtare si anëtar i OKB-së dhe i Organizatës së Konferencës Islamike, duke vlerësuar rolin e tij në luftën kundër terrorizmit dhe shprehu mirënjohjen për qëndrimin e vendosur në mbështetje të çështjes së Kosovës.

Lidhur me bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale, Presidenti Topi dhe Ambasadorja Aslam garantuan mbështetje reciproke dhe shprehën dëshirën në vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi.

Ambasadorja Tasnim Aslam vlerësoi marrëdhëniet bilaterale dhe nivelin e mirë të dialogut politik, duke u zotuar se do të punojë me devotshmëri për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Ambasadorja pakistanez theksoi se vendi i saj ka mbështetur kauzën e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe Konferencën Islamike. “Ne kemi mbështetur fuqimisht përmbushjen e aspiratave legjitime të kosovarëve për liri dhe demokraci.” – u shpreh Ambasadorja Tasnim Aslam.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›