E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me profesoriatin dhe studentët e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë.

12 mars 2008

Një moment i rëndësishëm i vizitës së Presidentit të Republikës Bamir Topi në qytetin e Korçës, ishte edhe takimi me Profesoratin dhe studentët e Universitetit “Fan S. Noli”.

Në fillim Prof. Dr. Bamir Topi u prit nga Rektori i Universitetit, Prof. As. Dr. Gjergji Mero dhe një pjesë e stafit akademik, me të cilët Kreu i shtetit zhvilloi një bisedë të ngrohtë e miqësore mbi çështjet që kanë të bëjnë me arsimin e lartë dhe përballimin e sfidave integruese nga ana e brezit të ri të sapodiplomuar. Rektori Mero i dorëzoi Presidentit Topi Medaljen e Artë të Mirënjohjes të Universitetit “Fan S. Noli”.

Duke iu drejtuar pedagogëve dhe studentëve të këtij universiteti, Presidenti Topi vlerësoi se: “Është padyshim një emocion i veçantë kur vjen në Universitetin tuaj. Jeta universitare, jo vetëm që të ofron një cilësi të veçantë komunikimi, por besoj është fusha më e rëndësishme, ku jo vetëm përgatiten studentët që do të dalin në jetë, por besoj që është një ambient ku debati profesional është gjithmonë i mirëpritur. Sigurisht, njeriu, kur një pjesë të jetës së tij e ka kaluar nëpër këto ambiente, ka një kënaqësi të veçantë kur vjen dhe komunikon pikërisht me elitën e qytetit, që padyshim është një forcë e madhe promotore për të gjithë jetën e qytetit, jetën e institucioneve, ku në mënyrë të padiskutueshme, jo vetëm sikurse thashë ka detyrën e përgatitjes së kuadrove të së nesërmes, por kjo elitë është dhe duhet të jetë pjesëmarrëse në të gjitha zhvillimet dhe sfidat që ka rajoni i Korçës. Unë dëshiroj t’ju përshëndes për të gjithë atë cikël zgjedhjesh që është realizuar edhe në Universitetin tuaj, dëshiroj t’ju uroj suksese në të gjitha aktivitetet që do të keni, dhe padyshim kam bindjen që pas momentit të zgjedhjeve, do të dini të vendosni në efiçencë të plotë të gjitha strukturat, duke filluar nga Senati, Këshilli i Administrimit, Këshilli i Profesoratit, Këshilli i Fakultetit, Këshilli i Etikës, e kështu me radhë. Sepse është shumë e rëndësishme që të keni një komunikim jo vetëm të natyrës vertikale, por është shumë e rëndësishme të realizohet dhe ai bashkëpunimi horizontal, që presupozohet në komunikimin midis kolegëve që kanë ekuivalencë të plotë në pozicionin e tyre, për të krijuar një klimë shumë të përshtatshme jo vetëm për komunitetin e pedagogëve, por, në radhë të parë, për ta transmetuar këtë klimë të mirëkuptimit dhe të funksionimit me efikasitet tek komuniteti i studentëve. Studentët kanë nevojë që të kenë një model, dhe model më të mirë se sa prindin në familje dhe profesorin në shkollë, fëmijët, që vjen një moment, rriten dhe bëhen studentë, nuk kanë se ku ta gjejnë. Ky është binomi më i mirë. Dikur ka qenë një lloj trinomi që thonte “familja-shkolla-shoqëria”. Shoqëria është shumë e rëndësishme, por shoqëria i rrit vlerat e veta, në rast se do të funksionojë më së miri binomi prind-pedagog, sepse koha fizike që konsumohet, konsumohet kryesisht në familje dhe në shkollë, dhe pastaj këto vlera që merren nëpërmjet kësaj marrëdhënieje kaq të natyrshme, projektohen, implantohen në shoqëri. Kështu që misioni juaj është shumë i rëndësishëm. Misioni i shkollës së lartë, jo vetëm mbi bazën e realizimit të detyrimeve që vijnë nga ligji “Për arsimin e lartë”, por besoj dhe nëpërmjet hapësirave dhe lirisë krijuese qe duhet të kenë trupat pedagogjike, Universiteti juaj, do t’u japë shansin studentëve që përgatiten në këtë Universitet, të jenë jo vetëm në funksion të të ardhmes së punësimit të tyre në rajonin e Korçës, por të jenë të përgatitur që t’i shërbejnë Shqipërisë në çdo pozicion, por nisur dhe nga harmonizimi dhe kurrikula që vjen në funksion të Kartës së Bolonjës, gradualisht ato sfida që e prekin Shqipërinë në institucionet e veta, prekin patjetër dhe të ardhmen e studentëve, që në një Shqipëri të integruar në Evropë, patjetër të kenë mundësi që të kenë diploma të ekuivalentuara dhe të mos i futen sforcove që kanë bërë në mjaft raste studentë që kanë shkuar nga Shqipëria në vende të tjera, që janë detyruar që të bëjnë fakultete të dyta, sepse gjithçka shkon në funksion të moshës së tyre. Vjen një moment kur mosha e studentit kthehet detyrimisht në moshën e njeriut që do të futet në punë, t’i shërbejë vetes, familjes, shoqërisë. Kështu që unë mendoj që jemi në kushte totalisht të reja, ku studentët duhet patjetër të ndërgjegjësohen për këto premisa që kanë, duhet që t’i jepet jo vetëm formimi në lëndët specifike, por t’i jepet një nocion më i gjerë dijesh, të dinë se ku janë, të dinë se në ç’rrugë janë, dhe çfarë mundësish kanë. Ne kemi patur rastin sot të ndajmë opinione mjaft të vlefshme me të gjitha institucionet e qeverisjes vendore, në Korçë, për Korçën, për rajonin e Korçës. Nuk ka pikë dyshimi që jemi në vatrën tradicionale të dijes, në vatrën e inspirimeve qytetare. Për këtë s’ka dyshim askush. Ne krenohemi me traditën që ka Korça në arsim, në dije, në kulturë dhe pikë referimi, patjetër, për të gjithë shqiptarët. Dihet që shkolla e parë shqipe është ngritur pikërisht në këtë rajon dhe kjo është një rreze drite që inspiron të gjithë shqiptarët, të gjitha institucionet e dijes, por në radhë të parë kjo duhet të jetë një krenari për juve që duhet ta çoni domosdoshmërisht në një stad të ri. Jeni në një rajon i cili e ka të ardhmen në mënyrë të padiskutueshme, shumë të sigurt, në një rajon ku impakti i investimeve, sado i vogël të jetë investimi, është i dukshëm, sepse është një rajon me pasuri shumë komplekse, shumë dimensionale, qoftë në traditë të historisë, të kulturës, të arkeologjisë, të vendeve që kanë predispozicione shumë të qarta turistike, të vendeve ku mbi të gjitha evidentohet ai statusi i komunikimit qytetar. Unë dëshiroj që ta stimuloj këtë lloj angazhimi dhe trupa pedagogjike këtu të jetë lënda aktive e shoqërisë, që duhet patjetër ta çojë më tej komunikimin dhe detyrimin për komunikim, qoftë për bashkëjetesën fetare në Korçë dhe në të gjithë rajonin e Korçës, për restaurimin e të gjitha atyre vlerave që sot, për një mijë arsye janë të fjetura, sepse vjen dhe si pasojë e mungesës së potencialeve ekonomike, por gradualisht ne po dalim nga kjo situatë. E kemi të domosdoshme që të investojmë në infrastrukturë, në infrastrukturën fizike të komunikimit, e pastaj me radhë të gjitha gjërat. Por e rëndësishme është që e ardhmja të projektohet në mënyrë të qartë. Dhe e ardhmja projektohet në radhë të parë nga trupat akademike në bashkëpunim me përfaqësuesit në njësitë e qeverisjes vendore dhe është një fat i madh që nga vlerat intelektuale, vlerat akademike, janë ekstraktuar njerëz që sot janë në krye të qeverisjes vendore. Kush më mirë se ata, e shpreh këtë gjë, dhe këtu kam rastin të them që çështjet e akademisë, çështjet e zhvillimit, nuk janë çështje ideologjish. Duhet patjetër që t’i kontribuoni kësaj klime të mirëkuptimit qytetar. Secili ka në koshiencën e tij bindjet e veta. Universiteti ka vlera të tjera, zhvillimi i rajonit të Korçës duhet të jetë preokupacion i të gjithë njerëzve, pavarësisht nga bindjet. Politika duhet të jetë në funksion të standarteve dhe jemi në një moment kur të gjithë po dalim me koshiencë të plotë nga debatet apo nga polemikat e tejkaluara të karakterit ideologjik, që shpesh herë marrin karakterin e debateve shterpë, dhe secili sot është i qartë që e ardhmja do të jetë vetëm për projektet e zhvillimit, projektet e zhvillimit të rajonit, të qytetit, të çdo njësie, të çdo komune, sepse po të kemi një zhvillim harmonik, atëherë secili do të prekë standartet, për të dalë nga standartet e familjes, të dalë në standartet publike. Dhe kjo do të jetë patjetër arritja e atyre standarteve që do ta bëjë patjetër të krahasueshëm edhe me Greqinë që është një vend fqinj, që është vend i Bashkimit Evropian por edhe me të gjitha vendet e tjera. Dhe unë, edhe pa ardhur në këtë pozicion, kam patur bindje të gjatë e të konsoliduar që rajoni i Korçës i ka vlerat njerëzore, që do të dinë ta ripërtërijnë traditën dhe ta bëjnë këtë rajon të lakmueshëm, jo vetëm për turizmin vendas, por besoj të lakmueshëm edhe për turizmin e huaj. Unë shfrytëzova këtë rast, në takim me pedagogët për t’i dhënë këto mesazhe, sepse nuk e teproj po ta them, në universitet gjendet me shumicë lënda aktive që do t’i hapë perspektiva të qarta të gjithë shoqërisë. Ju falenderoj shumë për këtë mirënjohje. Unë jam mësuar të jap medalje dhe, nuk ja mësuar të marr medalje. E vlerësoj shumë këtë gjest civil. Kjo është pjesë e traditës së universitetit tuaj dhe uroj një ditë, që këtë gjest ta ktheni në gjest të institucionit, nisur nga vlerat që ka universiteti juaj, dhe besoj ato që ju do të dini të shpalosni me intensitet gjatë kësaj periudhe që ne presim në ato sfida integruese. Ju falenderoj shumë për mikpritjen dhe ju uroj gjithë të mirat”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›