E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Republikës, Bamir Topi takon kryetarin e Bashkisë dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të Korçës.

Korçë
12 mars 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Korçës, ku u takua me drejtuesit më të lartë të këtij qyteti. Në fillim Presidenti Topi u mikprit nga Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, me të cilin zhvilloi një takim në zyrën e tij duke shprehur kënaqësinë për zhvillimin e qytetit dhe të potencialeve të tij dhe duke vënë në pah traditat dhe vlerat e vyera qytetare, arsimore, arkeologjike, turistike të Korçës si dhe një tipar të veçantë të saj siç është bashkëjetesa fetare dhe theksoi nevojën për stimulimin e kohezionit shoqëror.

Gjatë takimit, Kreu i shtetit tha: “Dëshiroj që të shpreh këtu edhe atë vëmendje të madhe që ne kemi jo vetëm si institucione, por në përgjithësi për ç’tensionimin e jetës politike në vend. Kjo është e dukshme, pavarësisht debateve që janë të pashmangshme, por janë të domosdoshme, janë të vlerësueshme. Nuk mund zhvillohet asnjë gjë pa debat, por ju po e shikoni që çdo ditë e më shumë ka një ç’tensionim të jetës politike në vend, gjë që duhet të shihet dhe ju mund ta shikoni edhe në qytetin tuaj në mënyrë që forcat politike, kanë programet e tyre, qoftë në nivel qëndror, qoftë edhe në nivel lokal, por është e padiskutueshme që zhvillimi, e ardhmja duhet të jetë nëpërmjet bashkërendimit për çështje që kanë vizione të përbashkëta. Pra, jeta politike, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botën demokratike e të zhvilluar, politika ndahet për gjëra fine dhe jo për gjëra substanciale, sepse në substancë, edhe partitë politike në Shqipëri, qoftë kjo edhe për çështje që kanë të bëjnë me interesat madhore të Shqipërisë, por edhe për çështje që kanë të bëjnë qoftë me vizionet ekonomike, mjaft gjëra, kanë elementë të përbashkët, kanë gjëra të mira, pra do të thotë që në substancë, në bazë ky bashkëpunim është i nevojshëm dhe ne po e shikojmë qoftë në sfidat e politikës kombëtare, të politikës rajonale, në funksion edhe të asaj që ne e kemi përjetuar të gjithë me të njëjtin ritëm, çështjen e pavarësisë së Kosovës, çështjen e anëtarësimit në NATO, çështjen e progresit që ne po bëjmë çdo ditë si rezultat i kontributit të së gjitha forcave politike pa diskutim, qofshin këto të mazhorancës, qofshin këto të opozitës. Ju e shikoni që Parlamenti shqiptar kohë pas kohe merr vendime të rëndësishme në unison. Pra, shqiptarët, klasa politike janë të ndërgjegjësuar që sfidat euroatlantike duhet të dominojnë, duhet të prevalojnë para çdo lloj beteje të çastit, të pragmatizmit politik. Është e natyrshme pastaj që partitë politike edhe në funksion të atij debati që po bëhet për reformën zgjedhore, duhet të ruajnë pozicionet e tyre, interesat e tyre deri në një pikë. Në fund fare debati, e kam thënë dhe herë tjetër, në përfundim të debatit ka një vendimmarrje dhe vendimmarrja vjen mbi bazën e një vendimi të përgjithshëm, mbi bazën e një opinioni të përgjithshëm që do t’i lejojë Shqipërisë që të vendosë rregullat bazë, që mund të vijnë edhe mbi bazën e ndryshimit të Kushtetutës, veçse jo për një element, por për disa elementë që institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri të jetë i tillë që të përcaktojë në mënyrë definitive institucione të pakontestuara. Si vijim, institucioni zgjedhjeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, është i qenësishëm. Të bësh zgjedhje të lira, demokratike, do të thotë të ndërtosh institucione të forta, institucione shumë solide dhe nga institucionet politike pastaj dalin të gjitha institucionet e tjera kushtetuese. Nëse do të kemi institucion zgjedhjesh të fortë, edhe institucionet do të dalin të forta, njerëzit do të jenë më përfaqësues, njerëzit do të jenë më cilësorë, ç’ka do të thotë që edhe jeta, edhe aktiviteti i institucioneve do të jetë më kualitativ, që do të thotë se Shqipëria do të ketë shanse që t’i arrijë standardet. Unë jam i bindur që Shqipëria do të jetë në ato kushte që në vitin 2009 të zhvillojë zgjedhje politike korrekte, të drejta, besoj pa elementë kontestues dhe duke na dhënë shansin të gjithëve t’i drejtohemi më shumë vetëm terminologjisë që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, me zhvillimin e standardeve, sepse politika është shumë e rëndësishme, por sa më shumë t’i largohet demagogjisë dhe retorikave, aq më shumë do t’i shtojë elementët e zhvillimit dhe ai njeri, ajo familje, ajo shoqëri që ka standarde ekonomike di pastaj edhe politikën më fine,di si ta bëjë poltikën më të mirëkuptimtë për ta çuar Shqipërinë sa më shpejt, me ritme më të shpejta aty ku ne jemi orientuar dhe orientimi është i qartë drejt integrimit euroatlantik.

Çështja është e ritmeve. Ne duhet të shpejtojmë ritmet, hapat tona duhet të jenë hapa solidë. Dhe për këtë ka kontribut jo vetëm pushteti qendror, por ka shumë rëndësi edhe pushteti vendor, sepse është pushtet në shërbim të qytetarëve. Qytetari e ndjen më afër rolin e Kryetarit të Bashkisë, Këshillit Bashkiak dhe të gjitha niveleve të qeverisjes vendore. Sigurisht duhet ecur hap pas hapi. Po të shijojmë frytet e decentralizimit, proces që ndonëse formalisht, ligjërisht është vendosur nga Parlamenti që vite më parë, duhet patjetër që këto hapa formale duhet të implementohen realisht, ç’ka do të thotë që përveç pjesës të ligjit organik për decentralizimin duhet patjetër që të kemi një zhvillim të decentralizimit fiskal dhe patjetër transferimin e pronave nga shteti tek pushteti vendor. Mund të bësh aktivitet, gjithmonë lidhet me asetet që do të ketë bashkia që të zhvillojë atë aktivitet që të ndihet më mirë duke pasur pronat e veta, të futet realisht në treg në mënyrë që zhvillimi i kapitalizmi të ndihet edhe në njësitë e strukturave vendore.

Unë zoti Kryetar edhe një herë dëshiroj t’ju uroj juve, t’i uroj gjithë stafit tuaj një punë të suksesshme. Suksesi qoftë me ju me stafin çdo ditë në funksion të qytetarëve të Korçës, të cilët edhe një herë dëshiroj t’i përshëndes!”

Më pas Presidenti Topi zhvilloi në takim më të zgjeruar me anëtarë të Këshillit Bashkiak në Bibliotekën e qytetit ku u prit nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Rajmonda Nase dhe Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›