E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidentja e KE: E impresionuar nga Shqipëria, mbështetje që deri në 2027-n të bëhet pjesë e BE-së

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh sot se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian bazohet në reforma dhe merita, të cilat janë të dukshme që po ndodhin edhe në Shqipëri.

Von der Leyen, iu përgjigj pyetjes së një gazetareje të një medieje shqiptare, në konferencën për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

“Ne të gjithë themi me të drejtë që kushti i zgjerimit është një proces që bazohet në merita, dhe këto merita në Shqipëri janë të dukshme tani. Është një proces normal i hapjes së grup-kapitujve, ndërsa duhet të punojmë fort për reformat që të bëheni pjesë e BE-së”, tha Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, vlerësoi shpejtësinë me të cilën janë realizuar reformat këto 2-3 vitet e fundit.

“Për mua, dua të them është mjaft impresionuese të shoh përshpejtimin, shpejtësinë që kemi kaluar në dy tre vitet e fundit dhe jam gjithmonë e impresionuar me ju zoti kryeministër dhe me popullin shqiptar që më thonë “po, ne duam të bëhemi pjesë e BE, të bëhemi anëtare, por e dimë që këto reformat janë për ne në mënyrë që të forcojmë demokracinë dhe të forcojnë vendin tonë”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se “kjo është e dukshme dhe e bërë këtu në Shqipëri, sukseset e viteve të kaluara, unë përmenda Sepa, përmenda Roaming, por gjithashtu dhe planin e rritjes që është në fakt po funksionon mjaft mirë në Shqipëri. Do të kemi tani konferencën e investimeve, të gjitha këto janë hapa pozitivë përpara. Prandaj unë mund të them vetëm që jam impresionuar thellë nga shpirti këtu, nga fryma që gjej këtu në Shqipëri dhe jam shumë e përqendruar në ambicien tuaj që deri në 2027 Shqipëria të behet pjesë e BE”.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›