E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pr.ligji “Për barazinë gjinore”, Shoqëria Civile kundër heqjes së termave “stereotip gjinor” dhe “përkatësi e shumëfishtë”

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Një koalicion i gjerë prej 21 organizatash të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së grave, të mbështetura nga Avokatja e Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kërkuan sot miratimin pa ndryshime të projektligjit “Për Barazinë Gjinore”.

Në një konferencë për shtyp Mirela Arqimandriti, drejtuese ekzekutive e Qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim” theksoi se “projektligji i ri “Për Barazinë Gjinore” përditëson ligjin ekzistues të vitit 2008, duke e përafruar me acquis communautaire të Bashkimit Evropian, me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventën e Kombeve të Bashkuara për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW)dhe Konventën e Stambollit për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.

Ky ligj është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi ndërinstitucional dhe publik, me pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore qendrore dhe vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe rrjeteve të grave, ekspertëve të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Delegacionin e BE-së, agjencitë e OKB-së dhe partnerë të tjerë zhvillimi.

“Ligji i ri forcon mekanizmat e llogaridhënies, bën të detyrueshëm buxhetimin e përgjithshëm gjinor, mbledhjen e të dhënave gjinore, forcon kompetencat e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore dhe krijon instrumente konkrete për barazi reale në vendin e punës, në vendimmarrje dhe në jetën publike. Ai vlerëson punën e papaguar të kujdesit, promovon paga të barabarta për punë të barabartë, pjesëmarrje të barabartë në vendimmarrje, drejtim dhe politikë, dhe siguron që politikat publike të kontribuojnë në zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, nënvizoi Arqimandriti.

Ajo sqaroi se “projektligji nuk prezanton “gjini të reja” dhe nuk zëvendëson biologjinë, nuk ndërhyn në jetën familjare dhe nuk ndryshon konceptet “nënë”, “baba” apo “prind” dhe nuk cenon fenë, sportin apo identitetin kombëtar përkundrazi, forcon familjen shqiptare, mbron dinjitetin e çdo qytetari dhe siguron respekt të ndërsjellë midis burrave dhe grave”.

Arqimandriti vuri në dukje se “ne mbrojtësit e të drejtave të njeriut kundërshtojmë fuqishëm përpjekjet për të hequr terminologjinë thelbësore nga ligji “Për Barazinë Gjinore”, përfshirë termat “stereotip gjinor” dhe “përkatësi e shumëfishtë.”

“Mesazhi ynë është i qartë: heqja e termave si “stereotip gjinor” dhe “përkatësi e shumëfishtë” dobëson ligjin, cenon përparimin dhe zhbën arritjet e dekadës së fundit në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore për çdo qytetar shqiptar. Në një kohë kur në mbarë botën po forcohen lëvizjet kundër të drejtave të njeriut dhe retorikat që përpiqen të zhbëjnë arritjet ligjore e politike, Shqipëria duhet të zgjedhë rrugën e transparencës, bashkëpunimit dhe progresit. Barazia gjinore nuk është koncept i huaj, por vlerë kushtetuese kombëtare dhe evropiane, thelbësore për arritjen e një shoqërie të drejtë dhe demokratike, pa përjashtuar askënd, por duke forcuar kohezionin shoqëror dhe rritur mirëqenien e përbashkët”, tha Arqimandriti.

Sipas saj, ky nuk është ligj për ndarje, por për bashkim, për familjen, për barazinë dhe për dinjitetin njerëzor.

“Nuk është ideologji, por thirrje për drejtësi në emër të respektit të të drejtave të njeriut dhe të ardhmes së përbashkët. Ftojmë çdo anëtare dhe anëtar të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, çdo gazetare e gazetar, çdo qytetare e qytetar, të lexojë me kujdes përmbajtjen e këtij projektligji dhe të mos lejojë që dezinformimi ta errësojë thelbin e tij”, tha Arqimandriti.

1 nga 2

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›