E Diel, 1 Nëntor 2026

Pr.ligji për uljen e çmimit të naftës, rrëzohet kërkesa e PD-së për procedurë të përshpejtuar

TIRANË, 9 prill/ ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, prezantoi sot projektligjin “Për mekanizmin e reagimit të krizave të furnizimit dhe çmimit të lëndëve djegëse’”, për kalimin e tij me procedurë të përshpejtuar.

Bozdo tha se Shqipëria duhet të bëjë ndërhyrje ligjore për uljen e taksave që rëndojnë sot në çmimin e naftës.

Sipas tij, vendi sot nuk ka asnjë rezervë dhe se qytetarët sot blejnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë.

Bozdo tha se ky projektligj është i përfaruar me mekanizmat dhe direktivat e BE-së.

“Çfarë na ofron qeveria shqiptare sot? Bordin e Transparencës që vetëm vrojton rritjen. Bordi është vullneti politik i kryeministrit. Ndërsa mekanizmi ynë është ligji që mbron qytetarët”, tha Bozdo.

“Projektligji ofron mundësinë, hap derën për ndërhyrje ligjore në raste krizash, që i lejon qeverisë të shoqërojë uljen e taksave që rëndojnë në çmimin e naftës, si ajo e qarkullimit që qytetarët e paguajnë dy herë, ose ndryshe taksa e karbonit, duke e bërë çmimin e naftës shumë të shtrenjtë. Nëse i eliminojmë këto taksa, do të mund të krahasohemi me Maqedoninë dhe Kosovën. Këto vende pa det e tregtojnë naftën e tyre 30-40% më lirë”, shpjegoi ai.

“Kërkohet me urgjencë pasi nuk kemi marrë asnjë masë konkrete për amortizimin e rritjes së çmimit të naftës. Le ta miratojmë këtë projektligj sot, për të shprehur vullnetin politik se do t’i reduktojmë taksat e naftës dhe bashkë me to, do të miratojmë edhe një mekanizëm që jo vetëm menaxhon sipas standardeve më të mira evropianë rezervën e sigurisë, por siguron transparencë”, tha Bozdo.

Në përfundim, Kuvendi rrëzoi me 77 vota kundër kërkesën e Bozdos, për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar projektligjin.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›