Problemet në administratë? Diferencën duhet ta bëjnë elitat
Drejtori i kabinetit në zyrën e Avokatit të Popullit, Artur Lazebeu, në një intervistë për gazetën "Shqip" tregon "rrëfimet" e qytetarëve në lidhje me ankesat për administratën shtetërore, dhunën në dhomat e paraburgimeve, problemet e punonjësve të policisë në reformë, si dhe ankesa të tjera që hasen në punën e përditshme të kësaj zyre. Ai thotë se dy ligje duhet të jenë busulla e përditshme e zyrtarit shqiptar, ligji për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare dhe Kodi i Procedurës Administrative.
Së shpejti, Avokati i Popullit do të paraqesë në Parlament raportin e përvitshëm vjetor. Çfarë do të parashtroni ju në këtë raport?
E para, së shpejti do të thotë pas dy muajsh apo diçka e tillë. E dyta, Avokati i Popullit, ashtu si çdo raport tjetër përgjithësues dhe pasqyrues, nuk është surprizë. Pavarësisht formës së përmbledhur dhe përfundimeve që do të arrihen në të, në përgjithësi përmbajtja e tij, pra rastet e ndjekura nga Avokati i Popullit, kanë qenë pjesë e pasqyrimit të përditshëm në faqet e shtypit. Është ky pasqyrim mediatik që ka krijuar komunikimin e përditshëm, të cilin Avokati i Popullit edhe e ka ushqyer, por edhe është ushqyer prej saj. Gjithsesi, edhe këtë vit ne do të përpiqemi që të paraqesim para Kuvendit një reagim analitik ndaj zhvillimeve të brendshme në vend, me synimin për të ushtruar presionin e nevojshëm alternativ dhe pozitiv ndaj administratës publike, gjithmonë me pritshmërinë e rritjes për realizimin e standardeve të kërkuara të mirëqeverisjes. Fokusi do të jetë praktika e përditshmërisë shqiptare në korrelacionin individ-shtet dhe niveli i mirëqeverisjes si e drejtë e jetesës. Sot kërkohet rritja e standardit të jetesës, çka parakupton shumë më shumë. Në terma konkretë kjo do të thotë vënie gishti mbi abuzuesit e vegjël e të mëdhenj, që u ka rënë për pjesë të luajnë derën në korridoret e administratës publike, të cilët u nxijnë jetën njerëzve me vonesa pa shkak dhe barriera administrative, produkt i një subjektivizmi impotent, të cilin me rastin më të mirë mund ta quash paaftësi, në rastin më të keq hajdutëri, qoftë edhe për faktin se paguhen me paratë e taksapaguesve, të cilëve se kanë për gjë t‘u përplasin derën në fytyrë apo t‘u zvarrisin përgjigjet. E kemi thënë dhe e themi më këmbëngulje, nëse ka dy ligje që duhet të jetë busulla e përditshme e zyrtarit shqiptar, ato duhet të jenë ligji për të drejtën e informimit për dokumentet Zyrtare dhe Kodi i Procedurë Administrative. Këto dy ligje shprehin me terma konkretë atë kontratë sociale që qytetarët shqiptarë kanë nënshkruar me shtetin e tyre që në krye të herës dhe vazhdimisht e rifirmosin me menaxherin e radhës, teksa hedhin votën një herë në katër vjet.
Cilat janë disa nga drejtimet e punës suaj gjatë vitit që kaloi?
Po e nisim me rastet e keqtrajtimeve nga policia. Të kuptohemi, Avokati i Popullit e ka parë policinë nga një këndvështrim të dyfishtë. Nuk ka munguar të ngrejë zërin edhe për pushimet e padrejta të tyre nga puna dhe për këtë ju tashmë i keni publikuar rekomandimet tona përkatëse, sikundër kemi kërkuar vazhdimisht prej efektivëve të policisë një ndërgjegjësim më të madh për rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut. Në të njëjtën linjë janë bërë edhe rekomandimet përkatëse, që kanë pasur inspektimet dhe kontrollet periodike që ne kryejmë nëpër burgje dhe në dhomat e paraburgimit, me ç‘rast, edhe duke qenë të ndërgjegjshëm për pamundësinë financiare për ngritjen e kapaciteteve ngrehinore të sistemit penitenciar. Këtë gjë e kemi ngritur për ta mbajtur gjithmonë si çekan mbi kokën e qeverisë. Nga ana tjetër, kemi qenë tepër të prerë në detyrimin ligjor të punonjësve të shtetit për të eliminuar dhunën, torturën dhe forma të tjera të lidhura me to, që eventualisht dhe fatkeqësisht shfaqen e përshfaqen akoma reminishenca të mentalitetit të kaluar. Me këtë rast, më lejoni t‘ju riprodhoj një dialog të provokuar me buzëqeshje në një tryezë ndërkombëtare: A e dini se zakonisht politikanët kujdesen më shumë për burgjet sesa për shkollat? - Jo, pse? - Sepse në shkollë e dinë mirë se nuk do të shkojnë, kurse në burg edhe mundet!
Po në këtë frymë, ne kemi ndjekur edhe gjendjen në spitalet psikiatrike dhe sidomos në ato të burgut, ku herë-herë bashkëjetojnë normalet dhe jonormalët. A e kuptoni se këtu nuk bëhet më fjalë për të drejtë jetese, por thjesht për mbijetesë? E sa e sa probleme të tjera, aq sa edhe për gjendjen e mjeruar të një kopshti dikur në Burrel, dikush tha: Mirë bëtë që ndërhytë për atë kopshtin e Burrelit, por nuk e dini ju se ai rast nuk bën përjashtim, por normalitet të vogël brenda normalitetit të madh? Ja tek vijmë te të gjitha ato simptoma që përbëjnë shfaqjen e jashtme të varfërisë. Jo më kot e cilësojnë sot më të rrezikshme se terrorizmi... Por së paku të menaxhojmë solidaritetin human dhe aftësitë tonë në sforcon tonë kolerike për të arritur standarde miradministrimi në funksion të zbatimit të ligjit. Këtë synon dhe Avokati i Popullit, në fund të fundit, dhe nuk mendojmë se e kemi bërë keq. E kemi thënë dhe e themi, qëndrimi ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit tregon shkallën e kulturës së mirëqeverisjes që ka administrata. Kjo, për arsyen e thjeshtë, pasi janë dy mundësitë që një veprim ose mosveprim i zyrtarit të shkaktojë shkelje të të drejtave të njeriut: ose ai nuk njeh ligjin dhe ne ia bëjmë të njohur, ose ai e shkel apo e injoron me dashje atë, edhe pasi ne ia bëjmë të ditur. Në rrugë hierarkike, natyrisht që ne na lind e drejta për ta goditur këtë veprim dhe mosveprim, minimalisht duke ndërgjegjësuar se ky zyrtar ka kryer shkelje të ligjit dhe për pasojë meriton ndëshkimin sipas shkeljes së kryer.
Çfarë ndikimi prisni nga veprimtaria juaj 1-vjeçare?
Ajo që mund të thuhet është se askush nuk pret që situata në Shqipëri, brenda një viti, të ndryshojë në mënyrë befasuese. Pozitiv është fakti se strukturave përkatëse të shtetit ua kemi njohur çdo shprehje të vullnetit pozitiv për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, kontrollin e kufijve, angazhimin institucional për mënjanimin e barrierave administrative, sidomos në fushën e bizneseve, vullnetin e shprehur për të luftuar korrupsionin, impenjimin për të respektuar detyrimet ndërkombëtare e kështu me radhë. Megjithatë, ende shumë mbetet për të bërë për realizimin e standardeve të miradministrimit në të gjitha nivelet, detyrime këto që kanë lindur dhe vijnë në rritje, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Sikur vetëm ky të ishte preokupimi i parë dhe i fundit i aktorëve politikë në pushtet dhe opozitë, çdo problematikë e raportit tonë do të mirëkuptohej si rritje e besimit se Shqipëria është e gatshme të ofrojë cilësi më të lartë shërbimesh për të merituar ftesat dhe pasftesat e radhës në maratonën e integrimit evropian.
Në vitin që sapo kaloi, shumica e ankesave ishin nga punonjësit e administratës shtetërore, pra që janë larguar nga detyra për shkak të reformës. Si do të ndikojë zyra e Avokatit të Popullit për ta zgjidhur këtë problem?
Pa u marrë me logjikën paragjykuese të të tjerëve që janë brenda, pra janë tashmë pjesë e BE-së, nuk them ndonjë gjë të re se gjithçka kërkon një motiv angazhues sa më gjithëpërfshirës, që do të thotë në thelb një shërbim civil cilësor dhe mbi të gjitha të përgjegjshëm dhe të motivuar. Diferencën, natyrisht që do ta bëjnë elitat, pavarësisht pozicionimit të tyre më lart apo më poshtë në administratën publike. E rëndësishme është që minimalisht zëri dhe arsyeja e tyre të jenë faktorë vendimtarë në vendimmarrje, hartimin e politikave, por edhe në interpretimin e tyre me interlokutorët ndërkombëtarë. Për këtë vlen parimi i "kërcënimit së larti", pra rekordin e thyen vetëm ai që kërcen, fjala vjen, 90 cm dhe jo katër të tjerë që kërcejnë secili nga 25 centimetra, pra së bashku 1 metër. Ky duhet të jetë kriteri bazë në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve, në çfarëdolloj niveli qoftë. Përndryshe, nëse do të vëmë dorën në zëmër vetëm për miqtë dhe të afërmit, gjithçka do të krijojë një dafrungë keqqeverisjeje me konflikte interesash dhe "miq e shokë" gjithnjë e më të pakënaqur. Kjo është edhe arsyeja, përse kemi ngritur zërin në polici dhe për atë në shërbimin civil etj.
Si janë pritur rekomandimet tuaja për problemet e cilësisë në shërbimin civil?
Fusha e shërbimeve zë një vend të konsiderueshëm edhe në angazhimin e Avokatit të Popullit. Kështu që Avokati i Popullit prej shumë kohësh ka ndërhyrë dhe ka arritur të përmirësojë kushtet e kontratës së qytetarëve në KESH, në Telekom; kemi ngritur zërin për zbatimin e ligjit të shpërblimit të ushtarakëve, për të drejtat e të burgosurve dhe të paraburgosurve. Është fakt se ajo që mungon dhe është tepër e kritikueshme në Shqipëri është sjellja sipas ligjeve dhe rregullave të shkruara. Mjafton që dikujt t‘i duket vetja "burrë i keq", nëse nuk ia shpërblen zyrtarit "nderin e bërë". Kjo është një mundësi shkatërruese dhe me dëm të pallogaritshëm për të dyja palët, pasi edhe në kuptim dhe zbërthim të ligjit, krijon një situatë absurde, pra hallexhiu dhe viktima e vërtetë e korrupsionit, ligjërisht bën "korrupsion aktiv", ndërsa ai që përfiton, po ligjërisht quhet se bën "korrupsion pasiv, pra në një farë mënyre është "viktimë" e atij "aktivit". Qartësimi i përgjegjësisë institucionale dhe personale në dobi të llogaridhënies do të mbetet një sfidë edhe në të ardhmen dhe kur themi këtë, kemi parasysh qeverisjen, si në planin konkret, ashtu edhe në atë eventual, që është diçka e natyrshme në demokraci, pra në kuadrin e rotacionit normal të pushtetit nga njëri krah te tjetri. Avokati i Popullit, si i tillë, vetëm se rrit eksesin e njerëzve si në vendimmarrje ashtu edhe në zbatimin e ligjeve, pra te drejtësia. Le të mos harrojmë edhe diçka tjetër. Sot flitet gjerësisht për një të ardhme jo të largët në kushtet e globalizimit. Kjo do të thotë se shumë shpejt për të mos thënë se qysh sot, nuk do të duhet të jetë fare problem funksionimi sipas ndarjes së pushteteve, përkundrazi, ndërveprimi i tyre sipas formulës konstitucionale, pra të kufizimit të çdo pushteti. Por edhe mbasi të jetë arritur kjo, përsëri do të na duhet të orientohemi si çdo shoqëri tjetër, nga ajo për të planifikuar, drejt asaj për të vepruar dhe prodhuar, në thelb për të zbutur varfërinë dhe gjithçka që derivon nga ajo. Për të qenë më konkret në këtë që them, po citoj fjalët e një personaliteti në një takim të fundit ndërkombëtar në Lisbonë: "Në një të ardhme ndoshta do të na duhet t‘i vendosim ambasadat jo me shtetet, por me filialet e Microsoft apo të kompanive superprodhuese".