Maqedoni, qeveria kundër fjalës shqipe
Drejtuar:
Presidentit të Shqipërisë, z. Bamir Topi,
Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha,
Institucioneve shtetërore të Shqipërisë, si dhe gjithë mediave dhe shoqatave të gazetarëve në Shqipëri
Gazeta e përditshme në gjuhën shqipe "Lajm" nga Shkupi, prej para dy javësh ka ndërprerë botimin e çdo lloj shpalljeje dhe reklame, që vjen nga Qeveria e Maqedonisë dhe institucioneve tjera, nën kontroll të drejtpërdrejtë të qeverisë aktuale. "Lajm" është detyruar të ndërmarrë një hap të tillë si përgjigje ndaj injorimit të plotë të gazetës sonë nga ana e qeverisë, ministrive dhe institucioneve tjera shtetërore, që janë nën kontroll të qeverisë. Gati një vit e gjysmë, qeveria maqedone dhe ministritë nuk kanë publikuar thuajse asnjë shpallje apo reklamë në gazetën "Lajm". Kur janë në pyetje mediat e shkruara në gjuhën shqipe në Maqedoni, reklamat dhe shpalljet e qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera nën kontroll të qeverisë, botohen ekskluzivisht në një gazetë të njëjtë. Në këtë mënyrë bëhet presion ndaj fjalës së lirë në gjuhën shqipe. Të kota kanë qenë të gjitha kontaktet dhe takimet që kemi realizuar deri tani me përfaqësues të qeverisë.
Duke u nisur nga e vërteta se prapavija e sjelljes së tillë të qeverisë maqedone është burgosja e fjalës së lirë shqipe në Maqedoni;
Duke e pasur parasysh të vërtetën se deri tani qeveria maqedone nuk ka treguar kurrfarë shenja përmirësimi të kësaj dukurie negative;
Duke e ditur se në këtë mënyrë, në formën më të drejtpërdrejtë, preket fjala e lirë shqipe në Maqedoni, si një ndër fushat më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare këtu, ne gazetarët e të përditshmes "Lajmi", të përkrahur nga akademik Ali Aliu dhe shkrimtari Kim Mehmeti, jemi të detyruar t‘u drejtohemi institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë, si shtet amë i gjithë shqiptarëve në botë, që t‘i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat dhe mundësitë që i kanë në disponim, për t‘ua tërhequr vëmendjen qeveritarëve maqedonas për tendencën e këtillë qëllimkeqe ndaj fjalës së lirë shqipe në Maqedoni. Gjithashtu ne presim edhe përkrahjen e kolegëve tanë nga Shqipëria si dhe të gjithë atyre që e ndjejnë të nevojshme të vihen në mbrojtje të më të shenjtës që kemi: gjuhës dhe mendimit të lirë.
Andaj, apelojmë tek kryeministri shqiptar Berisha, që gjatë takimit të paralajmëruar për në muajin shkurt me Gruevskin, t‘ia parashtrojë kryeministrit maqedonas edhe këtë problem që ka të bëjë me respektimin e fjalës dhe mendimit të lirë të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjithashtu, apelojmë që qasje të njëjtë ndaj vizitës së paralajmëruar të Gruevskit në Tiranë të kenë edhe Presidenti Topi dhe kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli. Apelojmë deri tek të gjitha mediat në Shqipëri, të shkruara dhe elektronike, ta bojkotojnë vizitën e paralajmëruar të kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, në Shqipëri, në shenjë solidarizimi me pjesën më të madhe të kolegëve të tyre shqiptarë në Maqedoni, të cilët janë të prekur nga tendenca e qeverisë maqedone për të burgosur fjalën e lirë në gjuhën shqipe. Në rast se për shkaqe objektive ky bojkot nuk mund të realizohet, atëherë apelojmë që përmes pyetjeve eventuale që do t‘ia parashtrojnë Gruevskit, ta prekin edhe tendencën e qeverisë maqedone për vënë nën kontroll fjalën e lirë në gjuhën shqipe.
Me nderime, Lajm-Maqedoni