Revolucionaret e Kalimashit
Ju jam dukur ndonjëherë si atdhe-shitës? Po si agjent i paguar i Serbisë ju kam ngjarë ndonjëherë? Nëse më thoni "jo" për këto të dyja, atëherë mund ta nxjerr (pa frikën mos më shpallni tradhtor), dufin që më mblidhet në grykë, kur sjell në mënt skenën e deputetëve revolucionarë që demaskuan armikun në zemër të malit në Kalimash.
Të them që ishte turp e krupë, nuk ja vlen, se në këtë vënt po zë krupa-krupën, aq sa nuk ndjehet më ku mbaron e para e ku nis e dyta. Të bëj fillozofira për populizma, edhe kjo zor se zë vënt, se e keqja e populizmës është se e sheh veç ai që do të shohë. Të kujtoj atë fjalën e mënçur që "patriotizma është streha e fundit e maskarenjve" edhe kjo nuk vlen, se në librat tanë ka aq shumë maskarenj me medalje, sa humbet filli kollaj.
Po si i bëhet atëherë? Duke vrarë mëndjen mes këtij udhëkryqi, vazhdova të pyes veten se si ka mundësi që popujt ndonjëherë kanë kujtesë kaq të shkurtër sa çdo aventurier i pacipë mund t‘u hipë në qafë, thjesht duke u kujdesur vetëm për dy gjëra. Të fshijë kujtesën publike dhe të imitojë të njëjtat aventura të paraardhësve. Kjo makinë, që pas kohës e vëndit merr emra të ndryshëm: ku revolucion, ku fashizmë e ku komunizmë, sot njihet mirë nga fillozofët që, nën një emër e kanë përmbledhur "populizëm". Ka vetëm një shërim nga kjo sëmundje e ligë: qytetërimin. Sa më i përparuar e qytetëruar të jetë një shoqëri a një popull, aq më të fortë e ka vetëdijen dhe kujtesën dhe kështu aq më e pamundur i bëhet puna aventurierit që do t‘i hipë në qafë.
Mirëpo fati i keq në udhë të historisë ka bërë që populli im të jetë rëndë i infektuar nga të dyja viruset e sëmundjes, edhe nga prapambetja, edhe nga kujtesa e shkurtër. Dhe nëse prapambetja edhe i falet, se shumë herë nuk ka qenë për faj të tij, amnezia historike na bëhet e pafalshme. Pasi nëse do të kish funksionuar kujtesa, asnjë prej atyre përfaqësuesve të popullit nuk do guxonte të bënte shfaqje të atilla të njëjta me marshimet e revolucionit kultural. Po të kishim vaksinën e kujtesës, nuk do guxonte kryeministri i sotëm të na fliste me të njëjtat fjalë të kohës që shkoi; nuk do të guxonte të fliste për vaska floriri e për vila borgjezësh; nuk do guxonte të tallej me të mizerjen tonë e të deklaronte se "jemi superfuqi energjetike"; nuk do kishte kurajën të na quante "vendi më i sigurt në rajon" duke imituar Komandantin që na quante "shkëmb graniti".
Ende janë gjallë, paçka se ndoshta pleq, shumë prej atyre që më ‘47-ën thanë moçalet, e derdhën djersë e gjak kënetave të Maliqit. Nuk dua të besoj se e kanë harruar madhështinë e asaj vepre dhe vullnetin e përgjithshëm të shqiptarëve për t‘ia dalë mbanë. Gjithaq nuk dua të besoj që kanë harruar si reagoi pushteti aso kohe kur u gjet përpara vështirësive të ndërtimit, reagim që qe sa kriminal aq edhe populist: zbuloi demaskoi dhe pushkatoi një grup armiqësor. Më të mirët inxhinierë të vendit, burra me shkollë e të ndershëm, lanë kokën atë vit në dramën tragjike të pushtetit që donte të fshihte gabimet e veta pas akuzave për komplot e tradhti. Si është e mundur që njerëzit i kanë harruar të gjitha këto? Se po të kishim kujtesë historike, jam i bindur se të paktën kushdo prej atyre që kanë parë Maliqin, do të thosh: Prisni shqiptarë, prisni se po ju gënjejnë, prisni se kështu bënë edhe atëherë. Edhe sot, i treguar me gisht për hajdutllëk, pushteti po përdor të njëjtin mjet, po përpiqet të gjejë tradhtarët dhe armiqtë, që nuk dashkan të lidhin të dy pjesët e kombit. Si atëherë në Maliq edhe sot në Kalimash, Partia po dërgon bijtë e saj më të mirë atje, në frontin ku derdhet djersë, për të demaskuar sabotatorët dhe tradhtarët.
Po të kishim kujtesë, ndoshta më të shumtit e atyre që sot quhen "përfaqësues të popullit" (në kohën e Kënetës së Maliqit, quheshin "bijtë më të mirë të Partisë"), nuk do të kishin kurajë të shkonin e të shpallnin fletë-rrufera në ballë të Tunelit. Megjithatë, mëndja më thotë se ata që recitonin fletë-rrufe në Kalimash, e kanë kujtesën në vënd. Kanë kujtesën por nuk kanë moralin, kështu që as skuqen e as zverdhen më. Thjesht shkojnë me shpresë që të mos kemi kujtesë ne që i shohim. Këtë na mbetet neve t‘jua demonstrojmë.
KAFJA E PERJETSHME
Paskemi lexuar më kot. Brezi ynë dhe ca pak më të vegjël se ne, mbi të tridhjetat të themi, aso kohe kur qemë të rinj, më të shumtën e kohës e shkonim duke lexuar e lexuar libra pa përtim. Klasikët tanë, klasikët evropianë e botërorë, romane monumentalë me nga tri e katër volume, shkrimet e rilindësve të viteve tridhjetë e ç‘tu them tjetër. I bluanim njëri pas tjetrit, na pëlqenin dhe kaq. Ishim njëzetvjeçarë asokohe, nuk dinim nga lidhej gomari, për ne ç‘fluturonte hahej, nuk dinim asgjë nga jeta. E bukur ajo kohë, por nga ajo anë që më duhet mua, kish edhe një të keqe. Duke mos pasur idenë se si funksiononte bota e vërtetë, gjithçka lexonim na dukesh vetëm si punë librash, historira të së shkuarës dhe që nuk kishin të bënin me ne apo me botën ku rronim.
Vitet shkuan, u rritëm, u përplasëm me jetën, të mirat dhe të ligat e saj, njohëm të mirë e të liq, halle e gëzime. Tani kur kemi hedhur gjysmën e rrojtjes, në një moment i them vetes dhe të tjerëve. Stop një çast. Ja paskemi futur kot. Bota e librave nuk qenka punë meselerash pa vlerë të së shkuarës, po në më të shumtën e radhës thelbi i të vërtetave të përjetshme.
Ore po ku do dalësh, do thoni. Ja t‘u jap një. E kisha lexuar "Doktor Gjilpërën" më ‘80 e canë, më kish pëlqyer, edhe kisha qeshur me historirat e Shqipërisë së 1924-ës dhe kaq. Nuk bëja dot krahasime, se nuk dija ç‘ndodhte në jetën e vërtetë. Djalli më shtiri të ulem e ta lexoj prapë, para ca ditësh. Më zuri të qarët. Konica më 24-ën fliste për Shqipërinë e 2008-ës. Dëgjoni ç‘vë në gojë të një polici: "Ka dy rregulla të arta në punë në Shqipëri. E para, askush nuk pranon bakshish. E dyta, të gjithë pranojnë kafenë". Ti që më lexon, po të mos të të thosha unë që bëhet fjalë për ofiqarin e para treçerek shekulli, do mendoje se flitet për zyrtarin e sotëm, që e gjen në çdo zyrë të shtetit. Aq nuk ka ndryshuar puna, sa edhe sot si ahere, i themi "kafe" asaj gjësë që të bën të kalosh traun, të fitosh tenderin, të të shohë doktori, a të mbarosh punë kur ke hall. Popull me taban apo jo, nuk lozim kollaj nga tradita.
KORABI
Si sot java rreshtova një varg budallallëqesh e gabimesh që kisha parë në sitin e Kryeministrisë në internet. Me thënë të drejtën, më tha mëndja se do t‘i ndreqnin në krye të një a dy ditëve, për më tepër që vërejtjet e mia nuk kishin të bënin me çështje gustoje, po me gjëra që nuk mund të diskutohen. Kështu, bie llafi unë nuk thosha që duhet ndërruar fotoja e kryeministrit se nuk më pëlqen, po thosha se me Kushtetutë ai nuk quhet më "Kryetar i Këshillit të Ministrave", por "Kryeministër". Apo nuk thosha që nuk më pëlqen sfondi i faqes, po thosha që të korrigjojnë përshkrimin e stemës së Republikës, se e kanë vënë me 5 gabime.
Kaloi një javë dhe, më sa lojti Korabi, aq lojtën edhe merhumët e Kryeministrisë. As edhe një gabim të vetëm, nuk kishin ndrequr. Me mëndjen e tyre të mykur kanë thënë: "A po na kritikon armiku? Po. Atëherë qënkemi në rregull". Dhe vërtiten korridoreve të Kryeministrisë, me dy qëllimet e jetës së tyre: të vrasin miza dhe t‘i shohë shefi e t‘u thotë "Aferim ju qoftë". Ne të tjerët, që ju paguajmë rrogat, bëjmë shkrime dhe mbajmë turpin e injorantëve që na turpërojnë faqe botës.