Politikë civile
Më duhet të pranoj se nuk jam një njohës i shkëlqyer i politikës shqiptare, edhe pse gjatë gjashtë viteve të fundit nuk kam reshtur së studiuari ngjarjet më pikante që kanë ndodhur në Shqipëri. Duke mos qenë shqiptar, më është dhënë mundësia të qëndroj i papozicionuar politikisht, edhe pse politikëbërja në këtë vend është jashtëzakonisht interesante e të bën lehtësisht pjesë të vetën.
Gjithsesi, jam i bindur se për çështjen që po ndaj sot, për herë të parë me publikun shqiptar, është më mirë të jesh në rolin tim, atë të gazetarit dhe studiuesit, të papozicionuar në politikë, të profesionistit të lirë e objektiv, që arrin të mos bëhet pjesë e lojërave politike të së majtës apo së djathtës. Ditët e fundit kam lexuar me interes disa opinione të dy apo tre kolegëve shqiptarë, lidhur me fjalimin e mbajtur nga lideri i opozitës, Edi Rama, në përvjetorin e forumit rinor të Partisë Socialiste. Më konkretisht, këto opinione që kam lexuar në shtypin e shkruar, kanë komentuar një fjali të zotit Rama, në të cilën lideri i opozitës shprehej se nuk ishte politikan, por qytetar. Ishin pikërisht këto reagime në shtyp që më shtynë të lexoja e studioja me kujdes fjalimin e kreut të PS-së, pasi në vetvete jam i bindur se kjo fjali e zotit Rama nuk kishte asnjë arsye objektive për të shkaktuar kaq reagim.
E them këtë, pasi fraza të tilla nuk përdoren për herë të parë nga një politikan shqiptar, por janë thënë publikisht edhe më parë nga kryeministra apo presidentë vendesh të rëndësishëm si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Britanisë së Madhe. Por, në asnjë rast, në asnjë nga këto vende, reagimi nuk ka qenë si ky në Shqipëri, përkundrazi, reagim nuk ka pasur fare. Për të komentuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme mesazhin që Edi Rama dha gjatë festës së të rinjve socialistë, nuk mjafton të përqendrohesh vetëm në tri fjalë: "Nuk jam politikan", pa marrë fare parasysh kontekstin dhe mesazhin më të gjerë që Rama ka dashur të shprehë. Dhe me aq sa unë e kam ndjekur politikën e përditshme në Shqipëri, Edi Rama ka rreth një vit që flet për ndarjen nga politika e vjetër, për një përqasje të re ndaj politikës, që shikon nga qytetari dhe përqendrohet në zgjidhjen e problemeve reale që shqetësojnë çdo ditë qindra mijëra shqiptarë.
Pa dashur të gjykoj atë që Rama quan politika e re, mund të them se gjatë këtyre muajve të fundit, Partia Socialiste dhe vetë kryetari i saj kanë qenë shumë efektivë për ta përcjellë saktë dhe pa ekuivoke këtë mesazh.
Duke lexuar fjalimin e tij, të martën e kaluar, ishte e lehtë të kuptoje se edhe në atë takim me të rinjtë, mesazhi i liderit të opozitës ishte i njëjtë. Të martën e kaluar, Rama foli në mënyrë të qartë e të drejtpërdrejtë: "Unë nuk jam një politikan, unë jam një qytetar, një qytetar që nuk dorëzohet, një qytetar si ju", duke iu referuar të pranishmëve në sallë dhe atyre që ndiqnin fjalimin përmes transmetimeve mediatike. Nëpërmjet këtyre fjalëve dhe duke lexuar paragrafët në vazhdim të fjalës së Ramës, është lehtësisht e kuptueshme se Rama, për të disatën herë, ka dashur të ndajë qartë politikën e re nga politika e vjetër, politikën që sheh nga qytetari dhe përqendrohet tek problemet, me të cilat qytetari përballet, nga politika që i kthen shpinën qytetarit, politikën dhe politikanin që nuk dorëzohet së paku pa tentuar, nga ajo që as nuk e merr mundimin të guxojë.
Nuk dua në asnjë moment të shpreh mendimin tim nëse ai ka të drejtë apo jo në këtë strategji që ka zgjedhur e në këtë mesazh që po përçon çdo ditë, por ajo çka dua të tregoj është se pavarësisht gjykimit rreth mesazhit, ai në vetvete është i qartë, e nuk mund të keqkuptohet lehtë.
E them këtë, pasi ajo që kam lexuar këto ditë në shtypin e shkruar, ishte jo profesioniste. Besoj se është detyra e çdo gazetari të informojë publikun në mënyrë të drejtë e paanshme. Në artikujt që kam lexuar vihej re një përzgjedhje e qartë dhe për mendimin tim e qëllimshme e informacionit. Opinionit publik shqiptar i është ofruar një analizë politike e bazuar në një mesazh të cunguar, në tri fjalë: "Nuk jam politikan", të marra jashtë kontekstit. Unë besoj fort se politika në Shqipëri duhet të reformohet thellësisht. Ajo ka nevojë për më shumë moral, për më shumë vlera dhe sigurisht për shumë llogaridhënie përkarshi publikut. Por, njëkohësisht, mendoj që edhe media, si një nga institucionet më të rëndësishme për të mbajtur nën kontroll politikën dhe për të informuar publikun, duhet t‘u përmbahet gjithashtu vlerave dhe parimeve, pa të cilat, media do të kthehej fare lehtësisht në një vegël të rrezikshme të politikës përkundrejt publikut.