Procedimi penal për incidentin në Vorë, Noka: Policia veproi me urdhër

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka reagoi sot pas procedimit nga Policia me akuzën e veprës penale “kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” në Vorë, duke akuzuar policinë se kishte vepruar nën urdhrat e Albert Xhabaftit.
Noka tha se prania e tij në qendrën e votimit të Vorës ishte për të larguar një person të cilin ai e quajti “person të skeduar për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje”.
Ai informoi se kishte publikuar në rrjetet sociale edhe videolajmin e arrestimit vite më parë nga policia të shtetasit Xhoni Asllanaj, me të cilin, sipas tij, edhe u përball sot në qendrën e votimit në Vorë.
“Xhoni Asllanaj është nipi dhe shoferi i Albert Xhabaftit të Vorës dhe është i skeduar për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Në videolajmin e publikuar në media vite më parë përmendet se Asllanaj u ndalua së bashku me dy persona të tjerë, ku një prej tyre me inicialet A.K, 44 vjeç. A.K është Albert Xhabafti dora vetë”, tha Noka. /j.p/