E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, KQZ: 194 889 zarfe me fletëvotimi të mbërritura

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të mbërritura nga jashtë vendit shkoi në 194 889 zarfe me fletëvotimi.

Sipas KQZ në total janë 245 935 zarfe të dërguara, nga të cilat janë marrë nga zgjedhësit 227 097 zarfe me fletë votimi. 18 326 zarfe me fletë votimi nuk janë tërhequr nga zgjedhësit të cilët ishin regjistruar në Platformën Elektronike të Votimit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Sipas KQZ, 2502 zarfe janë te kutia e posaçme.

Numrin më të lartë të zarfeve të kthyer me fletëvotimi e mban Italia me 73 832, ndjekur më pas nga Greqia 53 209, më pas Gjermania 21 042.

Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 42 384 zarfe, Fieri 26 204, Durrësi 20 101.

Sot, më 11 maj 2025, shtetasit shqiptarë votuan për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, në një proces që pritet të përcaktojë drejtimin politik të vendit për katër vitet e ardhshme.

Për herë të parë në këto zgjedhje parlamentare votuan edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Procesi i votimit jashtë vendit ka nisur rreth një muaj më parë.

Çdo votë që mbërrin në Shqipëri sot pas orës 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›