E Diel, 1 Nëntor 2026

Procedura/ Qeveria miraton rregulla të reja për kreditë e pakthyera që mbulohen me garanci shtetërore

Qeveria ka miratuar rregullat se si do të veprohet me kreditë që janë marrë me garanci shtetërore dhe që nuk janë shlyer.

Vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave përcakton hapat që do të ndiqen për rikuperimin e këtyre borxheve dhe për trajtimin e pasurive të huamarrësve që kanë mbetur pa u paguar.

VKM-ja

V E N D I M PËR  PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË DETAJUAR PËR KTHIMIN  E GARANCIVE, HUAVE DHE NËNHUAVE DHE TË PROCEDURAVE TË MARRJES NË PRONËSI TË PASURIVE TË LËNA SI GARANCI OSE JO NGA HUAMARRËSIT E SHITJES SË KËTYRE PASURIVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të  ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. OBJEKTI

Ky vendim ka për objekt përcaktimin e parimeve, të rregullave dhe të procedurave për menaxhimin, administrimin dhe rikuperimin e garancive shtetërore të dhëna për huat e nënhuat, si dhe për kthimin e kredive shtetërore të pakthyera, të akorduara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror para procesit të privatizimit të tyre.

PROCEDURA E DETAJUAR E KTHIMIT TË GARANCIVE SHTETËRORE, HUAVE DHE NËNHUAVE

Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera (në vijim, Agjencia) fillon procedurat për vjeljen e rikuperimin e detyrimit, me qëllim kthimin e garancisë shtetërore të huas me marrjen e njoftimit nga ministria përgjegjëse për financat mbi kryerjen, nga kjo e fundit, të pagesës së garancisë, në favor të institucionit huadhënës, apo ekzistencën e detyrimit të pashlyer ndaj ministrisë nga subjekti përfitues i garancisë shtetërore, i marrëveshjes së huas ose të nënhuas.

Agjencia i dërgon huamarrësit njoftimin zyrtar “Njoftim për shlyerje detyrimi”, në përputhje me gjendjen e përditësuar të detyrimeve, që rrjedhin nga huat, nënhuat dhe garancitë shtetërore, sipas kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në marrëveshjen përkatëse të huas ose të nënhuas të nënshkruar ndërmjet palëve.

Agjencia kryen mbikëqyrjen dhe verifikimin e kushteve financiare të të gjithë huamarrësve, që kanë përfituar financim me garanci shtetërore, nënhua ose hua të akorduar nga buxheti i shtetit, dhe, në rast mospagimi të detyrimit, kërkon prej tyre informacionin e dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e kësaj mbikëqyrjeje.

Pas verifikimit, në rast se rezulton se huamarrësi ka aftësi paguese dhe pagesa e detyrimit është kryer nga ministria përgjegjëse për financat, Agjencia, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, kërkon bllokimin e llogarive përkatëse dhe sekuestrimin e shumës së paguar nga ministria, si dhe ndjek shlyerjen e plotë të detyrimit, në përputhje me dispozitat e nenit 42, të ligjit nr.9665, datë 8.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas”, të ndryshuar.

Agjencia kërkon lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe vijon me vënien në ekzekutim të titullit ekzekutiv, duke ndjekur procedurat përmbarimore deri në shlyerjen përfundimtare të detyrimeve të huamarrësve ndaj ministrisë, për pagesat e kryera nga kjo e fundit në kuadër të marrëveshjeve përkatëse, për huamarrësit që nuk kanë shlyer detyrimet dhe nuk kanë aftësi paguese.

Shumat, që janë objekt i këtij vendimi, lidhur me garancitë, huat dhe nënhuat, kthehen direkt në llogarinë unike të thesarit. Komisionet bankare, pagesat për shpenzime gjyqësore, përmbarimore ose çdo shpenzim tjetër i lidhur me rikuperimin e detyrimeve nuk zbriten nga shumat e arkëtuara.

Agjencia ka detyrimin të raportojë dhe të koordinojë çdo muaj me ministrinë përgjegjëse për financat lidhur me gjendjen e detyrimeve të pashlyera për secilin huamarrës dhe për çdo marrëveshje garancie, huaje ose nënhuaje, në përputhje me udhëzimin përkatës për bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera me ministrinë përgjegjëse për financat, për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore, si dhe për kthimin e garancive shtetërore të huas e të nënhuave.

III. PROCEDURA E DETAJUAR E KTHIMIT TË GARANCIVE SOVRANE

Agjencia ka detyrimin të marrë, në mënyrë elektronike dhe shkresore, raportin mujor për gjendjen e garancive sovrane nga bankat e nivelit të dytë, në përputhje me marrëveshjet e lidhura ndërmjet ministrisë përgjegjëse për financat dhe bankave të nivelit të dytë.

Agjencia ka detyrimin të raportojë çdo muaj, në ministrinë përgjegjëse për financat, për gjendjen e garancive sovrane pas përpunimit dhe koordinimit të raportit me bankat, në përputhje me udhëzimin përkatës për bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera me ministrinë përgjegjëse për financat, për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore, si dhe për kthimin e garancive shtetërore të huas dhe të nënhuave.

Me marrjen e kërkesës për pagesë nga institucioni huadhënës, Agjencia verifikon nëse kjo kërkesë përmban bashkëngjitur:

a) vlerën e përllogaritur të pagesës;

b) përshkrimin e detajuar të detyrimeve, duke përcaktuar në mënyrë analitike principalin, interesat e akumuluar, penalitetet dhe çdo detyrim tjetër në zbatim të marrëveshjes së huas, që rëndon mbi huamarrësin;

c) përshkrimin e detajuar të të gjitha proceseve të ndjekura nga huadhënësi gjatë periudhës kur subjekti nuk ka kryer pagesën, për të rikuperuar detyrimet nga huamarrësi, duke filluar nga momenti i gjenerimit të detyrimit deri në dërgimin e kërkesës për pagesë;

ç) numrin e llogarisë bankare të huadhënësit, ku do të kryhet pagesa e garancisë.

Agjencia shqyrton dokumentacionin ligjor të subjektit në vonesë dhe verifikon përmbushjen e kushteve dhe të kritereve për kryerjen e pagesës, në përputhje me marrëveshjet përkatëse të garancisë.

Agjencia ka të drejtën të kërkojë lëvizjet e llogarive bankare të huamarrësit, në mënyrë që, nëpërmjet përshkrimit të lëvizjeve, të verifikojë nëse fondet janë përdorur nga huamarrësi për qëllimin e lëvrimit të huas.

Para autorizimit për kryerjen e pagesës, Agjencia ka të drejtën të kërkojë nga huadhënësi informacion shtesë ose sqarime lidhur me dokumentacionin bashkëlidhur kërkesës për pagesë.

Në rast se Agjencia konstaton se fondet e huas nuk janë përdorur për qëllimin e përcaktuar ose nëse verifikon se nuk është përmbushur ndonjë nga kriteret apo kushtet e dhënies së huas, Agjencia nuk autorizon kryerjen e pagesës së garancisë në favor të huadhënësit.

Kur Agjencia vlerëson kërkesën për pagesë të huadhënësit si të rregullt dhe të plotësuar sipas kritereve të përcaktuara, ajo ka detyrimin të kërkojë nga ministria përgjegjëse për financat kryerjen e pagesës, në përputhje me formatin e përcaktuar në udhëzimin përkatës për bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera me ministrinë përgjegjëse për financat, për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore, si dhe për kthimin e garancive shtetërore të huas dhe të nënhuave.

Pas njoftimit nga ministria për kryerjen e pagesës në favor të bankës së nivelit të dytë, Agjencia ka detyrimin të informojë huamarrësin për detyrimin e tij ndaj ministrisë, në përputhje me marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar nga huamarrësi.

Pas kryerjes së pagesës, Agjencia ka detyrimin të mbikëqyrë dhe të ndjekë veprimet e kryera nga bankat e nivelit të dytë, duke kërkuar dhe duke marrë informacion në formë shkresore lidhur me procesin e rikuperimit të detyrimeve të huamarrësve.

Në rast se huadhënësi rikuperon pjesërisht ose në tërësi detyrimin e huas, i cili më parë është paguar nga ministria përgjegjëse për financat, huadhënësi ka detyrimin të njoftojë me shkrim Agjencinë brenda një afati prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pune. Njoftimi duhet të përfshijë vlerën e rikuperuar, procedurat e ndjekura për rikuperim, shpenzimet e lidhura me rikuperimin, si dhe çdo informacion tjetër të konsideruar të nevojshëm për Agjencinë.

Pas marrjes së njoftimit për rikuperimin e detyrimit, Agjencia ka detyrimin të njoftojë me shkrim huadhënësin për detajet e pagesës, përfshirë shumën e rikuperuar dhe numrin e llogarisë bankare, ku do të kryhet derdhja e saj.

Në rast se huadhënësi nuk ka mundur të rikuperojë detyrimet e huamarrësit, Agjencia ka detyrimin të ndërmarrë të gjitha masat ligjore të nevojshme për ekzekutimin e detyrimeve, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Civile.

PROCEDURAT E MARRJES NË PRONËSI TË PASURIVE TË LËNA SI GARANCI OSE JO NGA DEBITORËT, TË ADMINISTRIMIT E TË SHITJES SË KËTYRE PASURIVE

Ky vendim përfshin të gjitha pasuritë, qoftë të lëna si garanci apo jo, nga debitorët e Agjencisë, të cilat konsiderohen të përfshira dhe kalojnë në pronësi të Agjencisë, në rast se nuk janë shitur në ankandet e zhvilluara nga përmbaruesi gjyqësor, në përputhje me procedurat ligjore të ekzekutimit të detyrueshëm.

Marrja në pronësi e pasurive, qoftë të lëna si garanci apo jo nga debitorët, realizohet me pëlqimin e Agjencisë, si palë kreditore, duke u bazuar në vlerën e ankandit të fundit të zhvilluar nga përmbaruesi gjyqësor.

Agjencia është përgjegjëse për ruajtjen dhe administrimin e sendeve të luajtshme të marra në pronësi. Në raste të veçanta, mund të vendoset ruajtja fizike ose elektronike e këtyre sendeve. Kur ruajtja në ambientet e Agjencisë nuk është e mundur, sendet mund të ruhen kundrejt pagesës në magazina ose vende parkimi në pronësi të të tretëve. Shpenzimet për ruajtjen dhe administrimin e sendeve të marra në pronësi i shtohen vlerës së detyrimit të debitorit dhe konsiderohen të detyrueshme për këtë të fundit.

Agjencia kontabilizon pronën e marrë në pronësi, sipas vlerës së përcaktuar nga përmbaruesi gjyqësor në vendimin për kalimin e pronësisë.

Në këtë rast, vlera e pronës, e parashikuar në pikën 2 të këtij kreu, si dhe vlera e pasurive në pronësi të Agjencisë, për efekt të deklarimit të realizimit të të ardhurave, kontabilizohet duke zbritur detyrimin e debitorit.

Pas kontabilizimit të pronës, Agjencia i propozon debitorit, të cilit i është marrë pasuria nëpërmjet procedurave përmbarimore, shitjen e sendit të marrë në pronësi. Debitori ka detyrimin të kthejë përgjigje brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit. Pas përfundimit të këtij afati, Agjencia përgatit dosjen për realizimin e shitjes me ankand.

Agjencia përgatit dhe ndjek procedurën e ankandit, duke përfshirë shpalljen për publikim në buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik, dërgimin e shpalljeve në organet e pushtetit vendor dhe në vendndodhjen e sendit, objekt të shitjes, mbajtjen e procesverbalit të ankandit, si dhe kryerjen e çdo procedure tjetër të nevojshme për realizimin e procesit të ankandit.

Procedurat e ankandit organizohen nga Agjencia, duke respektuar rregullat dhe procedurat e shitjes së pronës shtetërore, të parashikuara në legjislacionin në fuqi mbi ankandin publik.

Vendimmarrja mbi ankandin kryhet nga komisioni i ankandit, i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë dhe i përbërë nga pesë anëtarë. Si vlerë fillestare e pronës, që do të shitet me ankand, konsiderohet vlera e kontabilizuar nga Agjencia ose, sipas rastit, vlera e rivlerësuar.

Agjencia ka të drejtën të kryejë rivlerësimin e gjendjes aktuale të pronës para fillimit të procedurave të shitjes me ankand. Vlerësimi ose rivlerësimi i pronës do të bëhet sipas çmimit minimal fiskal, përcaktuar në legjislacionin në fuqi.

Komisioni i vlerësimit të pasurive ka detyrimin të propozojë rivlerësimin e sendit në pronësi të Agjencisë, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në ligj ose në aktet nënligjore në fuqi.

Vlerësuesi i pasurive të paluajtshme duhet të jetë një person i specializuar në vlerësimin e pasurive të paluajtshme, i pajisur me licencën përkatëse për këtë aktivitet dhe i shoqëruar me jetëshkrimin e formularin për deklarimin e konfliktit të interesave.

Njoftimi publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë dhe përzgjedhja e vlerësuesit kryhet pas shqyrtimit të kërkesave, duke marrë parasysh eksperiencën e tij dhe ofertën më të përshtatshme.

Të ardhurat e siguruara nga shitja e pronave të sekuestruara nga debitorët, si rezultat i procedurave të ankandit, derdhen në buxhetin e shtetit.

Për kreditë e debitorëve të transferuar nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror para privatizimit të tyre, të cilët kanë shlyer detyrimin për principal dhe shpenzimet gjyqësore para hyrjes në fuqi të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, pasuria e të cilëve rezulton në pronësi të Agjencisë, kjo e fundit i kthen pronën debitorit. Kthimi i pronës bëhet vetëm pasi debitori ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe ka shlyer të gjitha shpenzimet e kryera nga Agjencia për këtë qëllim.

  1. LLOGARITË BANKARE DHE VEPRIMET MBI TO

Llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë, të transferuara nga ish-Agjencia e Trajtimit të Kredive, në monedhat lek, euro dhe dollar amerikan (USD), mbahen të hapura dhe përdoren për qëllimet e mëposhtme:

a) Arkëtimet që vijnë nga kreditë sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 15, të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”;

b) Arkëtimet nga shitja e pronave të sekuestruara, të cilat janë në pronësi të Agjencisë;

c) Arkëtimet e mbledhura në këto llogari përdoren për komisionet bankare për mirëmbajtjen e llogarive, si dhe për kthimin e 20% të shumës së derdhur për pjesëmarrjen në ankand, në rast se ka ofertues.

Për arkëtimet e të gjithë debitorëve në trajtim nga Agjencia, në rast se fondet derdhen në një llogari aktive në monedhë tjetër nga monedha në të cilën debitori ka detyrimin, konvertimi kryhet sipas kursit të Bankës së Shqipërisë në datën e kryerjes së veprimit.

  1. DISPOZITA TË FUNDIT

Vendimi nr.681, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat e nivelit të dytë, me kapital tërësisht shtetëror, në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, për kriteret dhe kushtet për ndryshimin e marrëveshjes së kredisë, si dhe procedurat e marrjes në pronësi të pasurive, të lëna si garanci ose jo nga huamarrësit, të administrimit, shitjes dhe dhënies me qira apo me enfiteozë të këtyre pasurive”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›