“Për ty Albana kam numrin 0900″/ EPP Women reagon pas deklaratës së Ballës: S’ka vend për seksizëm në institucionet demokratike

EPP Women ka reaguar pas sulmit verbal me natyrë seksiste të kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ndaj zv. kryetares së tyre, Albana Vokshi, gjatë seancës plenare të Kuvendit ditën e djeshme. Balla i referoi Vokshit numrin “0900”, një aluzion i qartë ndaj linjave telefonike seksi.
Në deklaratën e tyre, EPP Women theksojnë se komentet e tilla dhe poshtërimi personal nuk kanë vend në institucionet demokratike dhe se indiferenca e shumicës ndaj incidentit është e papranueshme.
Grupi shpreh solidaritet të plotë me Vokshin dhe bën thirrje që të gjithë aktorët politikë të respektojnë dinjitetin e grave dhe të shmangin gjuhën dhe sjelljet seksiste.
“Respekti dhe toleranca zero ndaj seksizmit duhet të udhëheqin institucionet tona politike,” thekson EPP Women në deklaratën zyrtare.
Reagimi i plotë në shqip:
Ne, EPP Women, dënojmë fuqishëm sulmin verbal me natyrë seksiste të kryetarit socialist, Taulant Balla, drejtuar zv. kryetares sonë, Albana Vokshi, gjatë seancës plenare të fundit të Kuvendit të Shqipërisë, duke sugjeruar se numri i saj është “0900” – referencë për një linjë seksi!
Komentet seksiste dhe poshtërimi personal nuk kanë vend në institucionet demokratike. Dështimi për të adresuar këtë incident gjatë seancës është i papranueshëm.
Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me zv. kryetaren tonë dhe bëjmë thirrje për të gjithë aktorët politikë, veçanërisht ata të shumicës qeverisëse, që të ndalojnë përdorimin e gjuhës dhe sjelljeve që cenojnë dinjitetin dhe të drejtat e grave.
Respekti dhe toleranca zero ndaj seksizmit duhet të udhëheqin institucionet tona politike!
Çfarë ndodhi dje në Parlament
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndodhej në foltore duke folur lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje, një fjali e tij ka tensionuar demokratët e pranishëm në seancën parlamentare.
Teksa ironizioi demokratët që nuk janë pyetur nga ana e qeverisë për këtë mundësi anëtarësimi në BE, Balla ka fyer deputeten Albana Voshki, të cilës i ka thënë: “për ty Albana kam numrin 0900”.
“Rama po thotë dhe ka thënë disa herë , që ne pranojmë të futemi në BE edhe pa të drejtë vetoje, nuk e duam veton. Thamë t’ju pyesnim juve njëherë por nuk kishim kohë, realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin, t’ju merrnim dhe t’ju thonim “si mendoni ju për ketë”. 0900, se për ty Albana kam këtë numrin, padyshim”, tha Balla.
Më pas deputetët demokratë kanë shkuar drejt foltores, situatë që solli ndërhyrjen e Gardës.
“Nuk të vjen turp, çfarë je ti more? Këtë shkoja thuaja gruas tënde. Ndyrësirë, i pafytyrë. Burrë legen. Je mësuar me ato që ke në partinë tendë ti. I pafytyrë. Nxirre jashtë. Si e lejon që të fyejë një grua ai në atë formë”, tha Bardhi.