E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria e Elbasanit konfiskon hotel, bar e restorant në pronësi të një të dënuari në Belgjikë

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit u konfiskua pasuria e shtetasit A.K., i dënuar në Bruksel (Belgjikë) për veprën penale “Ushtrim prostitucioni”.

Prokuroria e Elbasanit njoftoi sot se “në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror të vitit 2020, prokuroria kërkoi konfiskimin e një objekti 2-katësh, bar dhe restorant dhe hotel në pronësi të shtetasit A.K. në Malasej, Cërrik pasi provoi se shtetasi në fjalë nuk justifikon pasuritë e vendosura në vite me të ardhurat”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan kërkoi konfiskimin pasi dyshon se pasuria e shtetasit A.K. rrjedh nga aktiviteti i tij kriminal në Belgjikë”, njoftoi Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, “ky shtetas, rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Bruksel për prostitucion dhe është dënuar me 5 vite burgim si dhe gjobë prej 84 mijë eurosh së bashku me disa shtetas të tjerë shqiptar”.

“Hetimet vijojnë për personat e tjerë, të cilët rezultojnë të dënuar së bashku me shtetasin A.K. në Belgjikë”, njoftoi Prokuroria.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›