E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prefekti i Fierit për ATSH-në: Në gatishmëri për parandalimin e zjarreve, problem djegia e hambulloreve

TIRANË, 24 qershor/ATSH-Maela Marini/ Situata nga zjarret në qarkun e Fierit deri tani është e qetë dhe nën kontroll, ndërkohë që të gjitha strukturat që merren me menaxhimin e zjarreve janë në gatishmëri të plotë.

Në një intervistë për ATSH-në, prefekti i qarkut Fier, Arben Çuko detajoi planin e masave për përballimin e emergjencave nga zjarret në nivel qarkut.

Prefekti theksoi se rëndësi e veçantë i është kushtuar masave parandaluese me monitorime të vazhdueshme të territorit për parandalimin e shfaqjes së vatrave të zjarreve.

Nisur edhe nga shtimi i flukseve të pushuesve për shkak të sezonit veror, Çuko theksoi se është bërë përditësimi i planeve të gatishmërisë në territorin e zonave turistike për parandalimin, monitorimin dhe ndërhyrjen për shuarjen e zjarreve.

Si një qark që përfshin një sipërfaqe të madhe pyjore, prefekti nënvizoi se janë evidentuar zonat me risk të lart zjarri të cilat në bashkinë e Fierit përfshijnë masivin pyjor Darzezë-Pishë Poro, masivin pyjor Gjorgos-Peshtan dhe kodrat me ullishte Levan-Zhupan.

“Kemi po ashtu disa zona të tjera në territorin e bashkisë Mallakastër: masivin pyjor të Lofkëndit, masivin pyjor Çërrill, kodrat pyjore e ullishte të Çorrushit. Në territorin e bashkisë Lushnjë: kodrat me ullishte të Zhamës, kodrat me ullishte të Karbunarës, masivin pyjor në Kosovë të Vogël dhe në territorin e bashkisë Divjakë, Parkun Kombëtar Divjakë –Karavasta dhe kodrat me ullishte të Grabjanit”, tha ai.

Disa zona të riskuara, sipas prefektit, ka po ashtu në bashkitë Patos dhe Roskovec. “Konkretisht, në territorin e bashkisë Patos kemi masivin pyjor Gjinoqar-Drenie, kodrat me ullishte dhe shkurre të Kasnicës dhe në territorin e bashkisë Roskovec masivin pyjor Vlosht dhe kodrat me ullishte në Kurjan që janë nën monitorim të vazhdueshëm”, shtoi ai.

Rëndësi sipas tij, i është kushtuar edhe monitorimit të zonave pranë siteve arkeologjike të Apolonisë dhe Bylisit dhe Manastirit të Ardenicës, për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm.

Një problematikë e theksuar, për prefektin Çuko mbetet edhe djegia e hambulloreve pas  korrjeve të grurit.

“Deri në këtë periudhë të verës, në nivel qarku situata nga zjarret ka qenë e qetë, kryesisht kanë qenë raste sporadike në shkurre dhe hambullore”, informoi Prefekti.

Rëndësi e veçantë, sipas prefektit të qarkut Fier, i është kushtuar edhe sensibilizimit të opinionit publik në të gjitha format, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi i
tyre për kujdesin që duhet të tregojnë për të mos shkaktuar vatra zjarresh.

Plani i masave në situata emergjente, sipas tij, përfshin po ashtu evakuimin e popullsisë në rast nevoje, me qëllim mbrojtjen e jetës, gjësë së gjallë dhe vendosjen në qendrat e pritjes dhe të grumbullimit të caktuara sipas planeve vendore.

Duke folur për burimet njerëzore dhe logjistike që mund të angazhohen për raste emergjente në qarkun Fier, Prefekti bëri të ditur se janë 887 trupa operacionale në terren si dhe 14 zjarrfikëse në nivel qarku, të gatshme për ndërhyrje në raste zjarresh.

Gjendja e burimeve njerëzore dhe logjistike për raste emergjente në qarkun e Fierit:  

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›