E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta kombëtare e PD-së, përforcohet nga policia perimetri i Kryeministrisë

Partia Demokratike nën drejtimin e Sali Berishës zhvillon para Kryeministrisë protestën kombëtare siç është konsideruar nga opozita.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e duhur të kësaj proteste. Ashtu siç shikohen edhe nga pamjet e dërguara nga gazetarët e RTSH-së, evidentohet përforcimi i perimetrit të godinës së Kryeministrisë, përmes efektivëve të policisë.

Në rreshtin e parë të përforcimit të perimetrit të godinës së Kryeministrisë shihen uniformat blu të pajisura edhe me skafandra duke u shtrirë përgjatë gjithë vijës së parë të hyrjes së Kryeministrisë.

Ndërkaq, më herët, kryedemokrati Sali Berisha përcolli mesazhin e tij duke u shprehur se sot është dita e guximit qytetar. Sipas tij, sot i bëhet “gjyqi” qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Sot është dita e guximit qytetar. Dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë”, shkroi Berisha.

Protesta e ditës së sotme që konsiderohet si protestë kombëtare është e dyta e këtij lloji pas asaj të mbajtur më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›