E Shtunë, 7 Nëntor 2026

Protesta kombëtare e studentëve, analisti Çim Peka sfidon partitë e opozitës: PD të tregojë forcën e numrave para Kryeministrisë! Qori, Lapaj dhe Shehaj të mbledhin përkrahësit tek ‘Skënderbeu’

Analisti Çim Peka ka propozuar një mënyrë ndryshe të organizimi për protestën kombëtare të thirrur nga studentët, duke sfiduar Partinë Demokratike dhe partitë e tjera opozitare që të dëshmojnë veçmas mbështetjen që kanë në terren.

cim peka protesta

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Peka sugjeron që Partia Demokratike, si forca më e madhe e opozitës, të mblidhet para Kryeministrisë, ndërsa partitë e drejtuara nga Adriatik Lapaj, Arlind Qori dhe Agron Shehaj të grumbullojnë përkrahësit e tyre në Sheshin Skënderbej. Ndërkohë, studentët, sipas tij, duhet të protestojnë para Ministrisë së Arsimit.

Peka propozon madje edhe përdorimin e tre dronëve për të dokumentuar pjesëmarrjen në secilën prej këtyre pikave, në mënyrë që të shihet qartë pesha e secilit grupim politik dhe e studentëve.

“Tre dronë nga lart, një mbi Kryeministri për të parë sa njerëz ka opozita kryesore. Një mbi Sheshin Skënderbej për të parë sa njerëz kanë Qori, Lapaj dhe Shehu dhe një mbi Ministrinë e Arsimit për të parë sa studentë janë mbledhur. Pasi të kishim këto fotografi të qarta, tre grupet le të bashkoheshin në bulevard dhe të përballen me regjimin”, shprehet ai.

Peka argumenton se një organizim i tillë do të shërbente për të bërë të qartë peshën dhe përfaqësimin e secilit grupim. Ai thekson se studentët duhet të kenë rolin kryesor në protestë dhe forcat politike duhet të tregojnë mbështetjen e tyre pa u fshehur pas lëvizjes studentore.

“Nesër studentët janë primarë, të tjerët duhet t’i bashkohen. Por këta të tjerët politikë që duan t’i bashkohen, do të ishte mirë që secili të tregonte fuqinë e tyre dhe të mos mundohej të fshihej pas studentëve, të vidhte mikrofonin dhe të sulmonte ata që janë pesha reale në shesh”, shprehet ai.

Çim Peka: Çfarë do të dëshiroje të shikoja nesër në protestë? Partinë Demokratike si partinë më të madhe të opozitës, para kryeministrisë. Të dëshmojë gjithë fuqinë e saj aq sa e ka. 3 partitë e vogla, Lapaj, Qorri, Shehu, të cilët janë edhe kundërshtarë të Partisë Demokratike dhe kanë pretenduar të marrin autorësinë e protestës, t’i shikoja në një shesh tjetër, fjala bie te sheshi Skënderbej, dhe studentët t’i shikoja para ministrisë së Arsimit.

Tre dronë nga lart, një mbi kryeministrinë për të parë sa njerëz ka opozita kryesore. Një mbi sheshin Skënderbej për të parë sa njerëz kanë Qorri, Lapaj dhe Shehu dhe një mbi ministrinë e Arsimit për të parë sa studentë janë mbledhur. Pasi të kishim këto fotografi të qartë, 3 grupet le të bashkoheshin në bulevard dhe të përballen me regjimin. Kush do ishte kundër kësaj gjëje, thjesht duket qartë se don t’i shërbejë Ramës.

Gjithsesi, kjo fotografi është e nevojshme, se në finale pesha e vendimmarrjes është nga pesha e përfaqësimit. Nesër studentët janë primarë, të tjerët duhet t’i bashkohen. Por këta të tjerët politikë që duan t’i bashkohen, do të ishte mirë që secili të tregonte fuqinë e tyre dhe të mos mundohej të fshihej pas studentëve, të vidhte mikrofonin dhe të sulmonte ata që janë pesha reale në shesh.

Nëse keni këllqe, bëjeni këtë. Ju 3 rinorët, bashkohuni në sheshin Skënderbej për të treguar sa njerëz keni, opozita dalë para kryeministrisë të tregojë sa fuqi ka, studentët le t’i presin këto dy grupime politike, secili me peshën që ka, për t’u bashkuar dhe për t’i ndihmuar në qëllimin e realizimit të kërkesave të tyre.

Kjo do të ishte më e ndershmja dhe pas kësaj, pastaj hajdeni debatoni sa të doni, se kush duhet të jetë dhe kush nuk duhet të jetë në shesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›