E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 18-të, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë

Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë në ditën e saj të 18-të ku qytetarët janë mbledhur sërish në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij investimi.

Qytetarët u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta, flamuj kombëtarë dhe duke shqiptuar parrulla kundër qeverisë dhe klasës politike.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve në shesh, lëvizja qytetare tashmë është strukturuar rreth pesë pikave të panegociueshme drejtuar autoriteteve:

Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Krijimi i një Qeverie Teknike.

Shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike.

Anulimi i plotë i projektit të njohur si “Paketa e Maleve”.

Gjithashtu, gazetarja e RTSH-së, Sonila Mlloja e cila ndjek nga afër protestën bëri të ditur se në protestë artikulohen gjithashtu edhe kërkesa si punësimi, arsimi dhe shëndetësia.

“Kjo protestë si pikënisje kryesore kishte anulimin e projektit të Zvërnecit, por tashmë ai është shndërruar në një protestë me kërkesa të tjera, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama, largimi i kësaj klase politike, distancimi i opozitës nga kjo protestë dhe përfaqësimi me një qeveri tjetër, në mënyrë që qytetarët të ndihen të përfaqësuar me nevojat dhe kërkesat e tyre. Tre prej tyre artikulohen më fort: punësimi, arsimi dhe shëndetësia”, u shpreh gazetarja Mlloja.

E pyetur nga moderatori  Mario Merhori nëse protesta ka një strategji për ditën e sotme, gazetarja Mlloja tha se “ende nuk është zbardhur axhenda e ditës së sotme. Unë pritet ta mësoj pikërisht në minutat në vijim. Sigurisht është parathënë që nuk do të ketë fjalime të gjata, por do të ketë mesazhe të shkurtra, parrulla dhe thirrjet e tyre të herëpashershme, të cilat kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe largimin e kësaj qeverie në pushtet, si dhe, siç e thashë, distancimin e opozitës nga kjo protestë. Pritet të shohim se si do të zhvillohet ajo sot”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›