E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Protestat/ Zhupa kërkon mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar ‘Miqtë e Fëmijëve’: Të miturit janë dhunuar nga Policia, mbrojtja e tyre s’mund të jetë selektive sipas bindjeve politike

Deputetja Ina Zhupa, nënkryetare e Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, ka kërkuar thirrjen urgjente të një mbledhjeje për trajtimin e të miturve gjatë protestave të ditëve të fundit dhe për shqyrtimin e masave të reja të qeverisë.

Në një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit, i cili drejton edhe grupin, Zhupa shpreh shqetësim të thellë për raportimet mbi ushtrimin e dhunës ndaj të miturve nga punonjës të Policisë së Shtetit. Ajo thekson se sipas deklarimeve të ministrit të Brendshëm, deri më 30 tetor janë shoqëruar në polici 269 persona nën moshën 18 vjeç.

“Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë dhunën e paligjshme ndaj një të mituri apo cenimin e garancive që legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare i njohin atij”, shkruan Zhupa, duke shtuar se mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë përtej çdo ndarjeje politike. Ajo i referohet konstatimeve paraprake të Avokatit të Popullit, që kanë evidentuar probleme me dokumentimin e procedurave, regjistrimin e të miturve, informimin mbi të drejtat, aksesin në ndihmë ligjore dhe pretendimet për dhunë gjatë ndërhyrjeve policore.

Zhupa kritikon edhe paketën e re të masave të qeverisë, përfshirë aktin normativ për tubimet dhe përgjegjësinë financiare të prindërve për dëmet e shkaktuara nga të miturit. Sipas saj, këto masa janë “dukshëm antikushtetuese” dhe duhet të shqyrtohen nga këndvështrimi i interesit më të lartë të fëmijës, individualizimit të përgjegjësisë dhe proporcionalitetit.

Për mbledhjen, ajo propozon të ftohen Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe organizata për mbrojtjen e fëmijëve. Në rend dite kërkon të dhëna të plota për 269 të miturit e shoqëruar, verifikimin e pretendimeve për dhunë, respektimin e garancive procedurale, vlerësimin e masave të reja dhe një plan veprimi me afate konkrete.

“Mbrojtja e fëmijëve nuk mund të jetë selektive dhe as e kushtëzuar nga bindjet politike të tyre apo të familjeve të tyre”, nënvizon Zhupa, duke kërkuar që mbledhja të thirret me urgjencë.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›