E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat e opozitës, Lamallari: Policia të forcojë dokumentimin e akteve të dhunës

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari theksoi se “do të dënohen sipas ligjit të gjithë ata persona që rrezikojnë jetën e qytetarëve, të efektivëve të Policisë së Shtetit dhe që sulmojnë godinat shtetërore me molotovë”.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me arrestimin e protestuesve në protestat e opozitës nga ana e Policisë dhe lirimin e tyre nga Gjykata, Lamallari sqaroi se “duhet të bëmë ndarjen mes protestuesve që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore në mënyrë paqësore ashtu si e kërkon edhe ligji për tubimet dhe atyre me molotovë, që nuk janë protestues, por janë shkelës të ligjit”.

“Të hedhësh molotovë në pronë publike, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin edhe të personave të pranishmëve dhe të punonjësve të Policisë së Shtetit, kjo është e paligjshme, kriminale”, theksoi Lamallari duke shtuar se kjo kapërcen kufijtë e protestës që është një mekanizëm ligjor demkratikë në çdo vend të botës.

Sipas tij, këta protestues që në mënyrë flagrante shkelin ligjin cenojnë jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit që janë për të garantuar rendin dhe sigurinë duhet të përballen me pasoja të ligjit, qofshin ata në rolin e nxitësit, organizatorit dhe ekzekutorit.

Ministri Lamallari u shpreh se “për fatin e keq në protestat e  fundit, kemi parë se numri i mbështetësve paqësorë reduktohet, shtohet numri i personave që hedhin molotovë dhe i atyre që s’kanë të bëjnë me protestuesit paqësorë, por që kanë të bëjnë me persona të cilët sillen në mënyrë të kundërligjshme dhe janë thjesht subjekte të organeve të ligjit dhe të hetimit”.

Ministri Lamallari theksoi se “padyshim kërkohet punë më e madhe edhe nga Policia e Shtetit për dokumentimin e këtyre rasteve, për provueshmërinë e paligjshmërisë së tyre në mënyrë që të sigurohet dhe garantimi i masave të sigurisë dhe dënimi i tyre”.

“Nuk mund të lejohet jo për shkak se protestat bëhen kundër qeverisë apo se mund të cenohet politikisht ministri i Punëve të Brendshëm, por ka të bëjë me sigurinë, rendin dhe me mbrojtjen e jetës së punonjësve të Policisë dhe çdokujt tjetër që ndodhet përfshirë edhe protestuesit e ligjshëm. Nuk mund të lejohen akte të tilla dhe të mos lejohen nga njëra protestë në tjetrën që sillen si kriminelë dhe nuk janë protestues. Është detyra e Policisë të garantojë dhe të marrë masat për dokumentimin e këtyre akteve në mënyrë që të garantohet e drejta e ligjshme për protesta paqësore”, tha Lamallari.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›