“Protestat janë në rregull dhe përbëjnë një të drejtë themelore”/ Mesazhi i ambasadores holandeze: Dhuna na ka shokuar, liria e medias kërkon më shumë vëmendje (VIDEO)

Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, ka deklaruar nga Korça se dhuna e shfaqur gjatë protestave në Shqipëri ka qenë shqetësuese dhe ka shokuar palën holandeze. Gjatë një prononcimi për mediat, pas një takimi me përfaqësues të organeve ligjzbatuese, me fokus lirinë e medias, diplomatja u ndal te vlerësimi i Komisionit Europian për Shqipërinë, lufta kundër korrupsionit, shteti i së drejtës dhe protestat qytetare.
Monster theksoi se raporti i progresit evidenton arritjet e Shqipërisë, por edhe çështje që kërkojnë më shumë vëmendje dhe punë, veçanërisht liria e medias dhe e shprehjes. Ajo nënvizoi se protestat janë një e drejtë themelore, ndërsa dhuna është e papranueshme dhe ka shkaktuar habi e tronditje.
Pyetje: Cili është opinioni juaj për vlerësimin e Komisionit Europian për lirinë e medias?
Ambasadorja Marleen Monster: Sikundër ndoshta keni parë dhe keni dëgjuar në lidhje me raportin e progresit, ai shënon shumë nota pozitive për të cilat Shqipëria ka bërë progres. Megjithatë, njëkohësisht evidentohen edhe shumë çështje që kërkojnë ende vëmendje dhe punë. Një prej tyre është çështja e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Kjo është një nga temat për të cilat ne jemi sot këtu në Korçë, për të parë se si liria e medias mund të adresohet nëpërmjet sistemit gjyqësor. Prandaj jam shumë e kënaqur që ndodhem në Korçë për të diskutuar mbi këto çështje.
Pyetje: Si e shihni luftën kundër korrupsionit dhe faktin që studentët dhe qytetarët po protestojnë kundër tij?
Ambasadorja Marleen Monster: Sikurse e dini, Holanda është një nga vendet anëtare që ka një qasje të përqendruar në tri pika kryesore: të qenit strikt, i drejtë (fair) dhe i angazhuar. Një nga gjërat që përpiqemi të bëjmë është të vazhdojmë të mbështesim rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, përmes mundësive që kemi në dispozicion. Kjo është ajo që na mban të angazhuar në këtë çështje.
Pyetje: Çfarë mund të bëjë Shqipëria më mirë për shtetin e së drejtës?
Ambasadorja Marleen Monster: Unë mendoj se Shqipëria tashmë ka nisur një sërë reformash, siç është, për shembull, reforma në drejtësi, e cila ka arritur tashmë në një fazë të re, atë të konsolidimit. Besoj se kjo ka të bëjë jo vetëm me atë që është shkruar në letra, por edhe me zbatimin e saj në praktikë dhe me qëndrimin deri në fund të angazhimeve të marra në kuadër të këtyre reformave.
Pyetje: Cili është mesazhi juaj për protestat?
Ambasadorja Marleen Monster: Protestat na treguan se ka një lloj tensioni në shoqërinë shqiptare, sepse përndryshe njerëzit nuk do të kishin dalë për të protestuar. Megjithatë, ne i qëndrojmë mendimit se protestat janë në rregull dhe përbëjnë një të drejtë themelore. Por dhuna është diçka që na ka shokuar dhe na ka surprizuar.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb