Shqipëria do të përafrojë ligjet kundër korrupsionit me BE-në, ministri Gogu nga Mali i Zi: Pavarësia është kushti që e bën llogaridhënien të besueshme

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi nga Mali i Zi se Shqipëria do të përafrojë legjislacionin kundër korrupsionit me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është kusht për një luftë të besueshme kundër korrupsionit. Gjatë Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor, që mbahet më 5–6 nëntor në Budva, Gogu iu referua edhe vlerësimit të fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Shqipërisë në këtë drejtim, duke nënvizuar se mbetet ende punë për të bërë, veçanërisht në parandalimin e korrupsionit dhe hetimet financiare.
Ministri mori pjesë në sesionin “Dimensioni gjyqësor i luftës kundër korrupsionit”, ku u ndal te rezultatet e institucioneve të drejtësisë dhe përgjegjësitë e qeverisë në krijimin e kushteve për funksionimin e tyre.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, të cilit iu referua Gogu, SPAK vijon të tregojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.


Megjithatë, ministri theksoi se masat parandaluese duhet të bëhen më efektive dhe se hetimet financiare duhet të nisin më herët. Ai u ndal edhe te pasuritë kriminale të sekuestruara, duke theksuar se ato duhet të përfundojnë me konfiskim, kur këtë e lejojnë ligji dhe provat.
Gogu tha se këto konstatime sjellin përgjegjësi edhe për qeverinë, e cila duhet të forcojë kuadrin ligjor, të sigurojë burimet e nevojshme për institucionet e pavarura dhe të rrisë aftësinë e administratës për të raportuar rastet e dyshuara të korrupsionit. Sipas tij, vendimmarrja duhet t'u mbetet prokurorëve, pa ndërhyrje nga ekzekutivi.
“Qeveritë mund të propozojnë ligje, të sigurojnë burime dhe të forcojnë institucionet. Ajo që nuk duhet të bëjnë kurrë është të ushtrojnë presion. Pavarësia është kushti që e bën llogaridhënien të besueshme. Pas çdo vendimi korruptiv, dikush paguan çmimin. Një pacient pret më gjatë, një biznes humbet mundësinë për të konkurruar në kushte të barabarta, një qytetar kupton se rregullat vlejnë vetëm për të tjerët”, u shpreh Gogu.
Ministri foli edhe për Strategjinë Kundër Korrupsionit 2024–2030, e cila po trajton rreziqet e korrupsionit në sektorë si prokurimet publike, shëndetësia dhe tatimet.
Ai përmendi gjithashtu reformat për sinjalizuesit, konfliktin e interesit, lobimin dhe financimin politik, ndërsa bëri të ditur se Shqipëria mirëpret Direktivën (BE) 2026/1021. Si vend kandidat për anëtarësim, Shqipëria do të përafrojë me këtë direktivë legjislacionin penal dhe kuadrin më të gjerë kundër korrupsionit.
Gjatë forumit, Gogu propozoi edhe tri përparësi për vendet e Ballkanit Perëndimor.
E para lidhet me matjen e rezultateve konkrete të masave kundër korrupsionit, përmes treguesve të krahasueshëm, si koha që nevojitet për ndihmën juridike të ndërsjellë dhe shpejtësia e kalimit nga ngrirja e pasurive te konfiskimi. Sipas tij, një vlerësim i parë i përbashkët mund të paraqitet vitin e ardhshëm.
Përparësia e dytë është thellimi i bashkëpunimit operacional mes vendeve të rajonit, duke reduktuar vonesat dhe duke respektuar plotësisht garancitë procedurale. Ndërsa përparësia e tretë lidhet me investimin në përgatitjen profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve financiarë dhe administratorëve të pasurive.
Gogu theksoi se të tria këto përparësi duhet të mbështeten te pavarësia e atyre që hetojnë dhe gjykojnë. Forumi Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme organizohet çdo vit. Takimi i këtij viti drejtohet nga Presidenca irlandeze e Këshillit të Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e Komisionit Evropian.